Kamarieri hero që shpëtoi tifozët e Cityt nga huliganët e Napolit

02.11.2017 14:00
Kamarieri hero që shpëtoi tifozët e Cityt nga huliganët e Napolit

Një kamerier italian është bërë hero nga mediat angleze, pasi shpëtoi tre tifozë të Sitit nga huliganët e Napolit brenda restorantit të tij. Tifozët anglezë ishin mbledhur në restorant “Attori dhe Spettatori” në rrugën “Santa Lucia”, as 200 metra larg hotelit të skuadrës së Sitit, në orën 22:00 të ditës së martë.

Ata po ndiqeshin nga 3 ultras të Napolit, por kamerieri 59- vjeçar, Xhuzepe Liberato, u doli përballë për t’i mbrojtur. Si pasojë ai mori një goditje në fytyrë, që i shkaktoi një frakturë në hundë dhe brinjë të nxira. Ai do të qëndrojë 1 muaj pushim për t’u riaftësuar. Djali i tij, Flavio, tregoi:

“Ai bëri një akt heroik, jam shumë krenar. Shumë anglezë vijnë këtu dhe janë të mirëpritur. Ai pësoi një frakturë në hundë dhe ka brinjë të nxira nga goditjet me bërryla që mori në përpjekje për të mbajtur tifozët e Napolit. Fatmirësisht anglezët mundën të largohen. Ishte si një zonë lufte këtu me pjata, gota dhe karrige që ‘fluturonin’ ngado”.

4 tifozë të Sitit u ndoqën nga huliganët pas largimit nga një restorant në zonën e “Santa Lucia”-s. Njëri nga tifozët tentoi të fshihej në një piceri, por ata u ndoqën nga huliganët kur përballë u doli Xhuzepe.

Të katërt tifozët morën lëndime të lehta. 900 policë dhe 300 stjuart ishin në “San Paolo” mbrëmë, për të garantuar sigurinë e mbi 50 mijë tifozëve. Për shkaqe sigurie, autoritetet italiane nuk lejuan mbajtjen e rripave në stadium.