Kalaja e Vushtrrisë shndërrohet në restorant, IMMK shpjegon arsyet

Kalaja e Vushtrrisë shndërrohet në restorant, IMMK shpjegon arsyet

Një pjesë e Kalasë së Vushtrrisë do të shndërrohet në restorant sepse kështu do rritej kujdesi ndaj monumentit dhe do të shtoheshin vizitorët, ka thënë ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, Agim Gërguri.

Nga një hapësirë publike që është shfrytëzuar për seminare, aktivitete rinore e kulturore, Kalaja e Vushtrrisë do të kthehet në një restorant, i cili do të menaxhohet nga një kompani private. Kjo kompani do ta marrë me qira shfrytëzimin e monumentit të lashtë.

 

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK), institucion që punopn në kuadër të Qeverisë së Kosovës, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka treguar arsyet për këtë “privatizim” të Kalasë.

Agim Gërguri ka thënë se Kalaja e Vushtrrisë do të përfitojë nga dhënia në shfrytëzim dhe shndërrimi në restorant i një pjese të saj, raporton Insajderi.

Për këtë, ai ka dhënë disa arsye.

“Është shqyrtuar, vlerësuar dhe aprovuar të gjitha ndërhyrjet që propozohen me projektin për restaurim të Kalasë, në të cilin përfshihet edhe mirëmbajtja e vazhdueshme me qëllim të ndalimit të degradimit”, ka thënë Gërguri, përmes një reagimi në Facebook.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IMMK ka deklaruar se projekti do të rrisë kujdesin ndaj Kalasë së Vushtrrisë dhe do të ndalojë degradimin e mëtejmë të tij.

“Duke vlerësuar se zbatimi i një projekti të tillë, do të rriste kujdesin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të monumentit, pra do ta ndalte degradimin e mëtejmë të objektit të Kalasë, zbatimi i projektit në të njëjtën kohë, do të rriste edhe vizitueshmërinë, pra, do ta promovonte akoma më shumë këtë monument”, ka thënë ai.

Edhe pse Gërguri thotë se “është e pavërtetë se Kalaja e Vushtrrisë do të shndërrohet në restorant”, ai e pranon se investitori ka marrë leje për shfrytëzimin e një hapësire të Kalasë për gastronomi.

“Pjesë e projektit, ka qenë edhe vënia në funksion e një hapësire për shfrytëzim në fushën e gastronomisë nga ana e investitorit. Për këtë projekt ekziston edhe Vendimi përkatës i IKMM-së, si institucion kompetent, mbi aprovimin e projektit në të cilin është i arsyetuar në detaje karakteri dhe arsyeshmëria e ndërhyrjeve që janë propozuar/projektuar”, ka thënë Gërguri. /Insajderi.com