Kalaja që do shndërrohet në restorant dhe daja i kryetarit të Vushtrrisë

Anëtarë të shoqërisë civile dhe historianë e kanë vlerësuar se për 17 vjet trashëgimia kulturore në këtë qytet është shkatërruar, kanë shtuar se komuna është treguar e paaftë për ta mbrojtur atë.

Kalaja që do shndërrohet në restorant dhe daja i kryetarit të Vushtrrisë

Kur Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve vendosi të restauroi dhe t’ia japë Kalanë e Vushtrrisë në shfrytëzim për gastronomi një kompanie, doli që pronari i kompanisë të jetë Mentor Salihu, djali i dajës së kryetarit të komunës Bajram Mulakut.

E kjo lidhje e afërt e personit që mori në shfrytëzim Kalanë – për ta shndërruar një pjesë të saj në restorant – me kryetarin e komunës, shkaktoi reagime. Ishin qytetarët e Vushtrrisë që kundërshtuan shndërrimin e Kalasë në restorant.

Anëtarë të shoqërisë civile dhe historianë e kanë vlerësuar se për 17 vjet trashëgimia kulturore në këtë qytet është shkatërruar, kanë shtuar se komuna është treguar e paaftë për ta mbrojtur atë.

“Kemi një qeverisje lokale, e cila është komplet e paaftë për ta mbrojtur interesin e qytetarëve të Vushtrrislë, për shkak se kemi një dorëzim total të Komunës së Vushtrrisë përball grupeve të interesit”, thotë Gazmend Gjyshinca, aktivist i shoqërisë civile në Vushtrri.

Ndërkaq, Komuna e Vushtrrisë thotë se nuk ka qenë asnjëherë e njoftuar se Kalaja e këtij qytetit do të jepet në shfrytëzim.

Kryetari i kësaj komune, Bajram Mulaku, nëpërmjet një komunikate ka reaguar duke thënë se Komuna nuk është pronare e Kalasë dhe se gjatë takimeve të mëparshme me drejtorin e IKMM-së, Agim Gërguri për mirëmbajtjen e Kalasë, asnjëherë temë nuk ka qenë dhënia në shfrytëzim e saj.

Ai ndër të tjera ka përmendur faktin se kalaja i është dhënë kompanisë e cila menaxhohet nga djali i dajës së tij, Mentor Salihu.

“Jam i përgjegjshëm, se fakti që IKMM-ja ia paska dhënë në shfrytëzim Mentor Salihut, djalit të dajës tim, kalanë e qytetit, te shumë qytetarë krijon paragjykime se unë në këtë rast si kryetar komune kam qenë i involvuar. Jam i përgjegjshëm se tani janë zgjedhjet lokale afër dhe se shumë pretendentë për kandidat për kryetar komune të subjekteve të ndryshme e shfrytëzojnë nëpërmes “fansave” të tyre këtë rast, me qëllim të njollosjes së personalitetit tim, për përfitime të tyre”, është shprehur Mulaku.

Por, një tjetër mendim ka Instituti që e dha në shfrytëzim me qira Kalanë. Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMk) ka thënë se Kalaja e Vushtrrisë do të shndërrohet në restorant sepse kështu do rritej kujdesi ndaj monumentit dhe do të shtoheshin vizitorët.

Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës (IMMK), institucion që punon në kuadër të Qeverisë së Kosovës, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka treguar arsyet për këtë “privatizim” të Kalasë.

 

Agim Gërguri, ushtrues i detyrës së kryetarit në këtë institut, ka thënë se Kalaja e Vushtrrisë do të përfitojë nga dhënia në shfrytëzim dhe shndërrimi në restorant i një pjese të saj, raporton Insajderi.

“Është shqyrtuar, vlerësuar dhe aprovuar të gjitha ndërhyrjet që propozohen me projektin për restaurim të Kalasë, në të cilin përfshihet edhe mirëmbajtja e vazhdueshme me qëllim të ndalimit të degradimit”, ka thënë Gërguri, përmes një reagimi në Facebook.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të IMMK ka deklaruar se projekti do të rrisë kujdesin ndaj Kalasë së Vushtrrisë dhe do të ndalojë degradimin e mëtejmë të tij.

“Duke vlerësuar se zbatimi i një projekti të tillë, do të rriste kujdesin dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme të monumentit, pra do ta ndalte degradimin e mëtejmë të objektit të Kalasë, zbatimi i projektit në të njëjtën kohë, do të rriste edhe vizitueshmërinë, pra, do ta promovonte akoma më shumë këtë monument”, ka thënë ai.

Edhe pse Gërguri thotë se “është e pavërtetë se Kalaja e Vushtrrisë do të shndërrohet në restorant”, ai e pranon se investitori ka marrë leje për shfrytëzimin e një hapësire të Kalasë për gastronomi.

“Pjesë e projektit, ka qenë edhe vënia në funksion e një hapësire për shfrytëzim në fushën e gastronomisë nga ana e investitorit. Për këtë projekt ekziston edhe Vendimi përkatës i IKMM-së, si institucion kompetent, mbi aprovimin e projektit në të cilin është i arsyetuar në detaje karakteri dhe arsyeshmëria e ndërhyrjeve që janë propozuar/projektuar”, ka thënë Gërguri. /Insajderi.com