Kafshimi i Gjarprit

25.02.2016 11:12

Hashim Thaçi që nga nesër mund të zyrtarizohet si përfaqësues i popullit në postin e presidentit. Por ai nuk ka qenë asnjëherë lider unifikues gjatë dy dekadave të jetës së tij politike.  Karriera e tij politike përshkruhet me akuza për udhëheqje të grupeve të akuzuara për  vrasje, kontrollim të narkotrafikut dhe eliminim të kundërshtarëve politikë. Me gjithë ndasitë që kultivuar lideri më i fuqishëm politik mund të ulet në karrigen e përfaqësuesit të unitetit të popullit.

Kafshimi i Gjarprit

Një prej goditjeve më të rënda, Kosova pritet t’ia jap vetës nëse për president do ta zgjedh politikanin mbi të cilin rëndojnë akuza për “trafikant e udhëheqës të një grupi kriminal që ka vrarë njerëz përfshirë anëtarë të LDK-së”.

Pikërisht me votat e deputetëve të kësaj partie, Hashim Thaçi pritet të zgjidhet president i vendit.

“Kemi konstatuar se drejtuesi i  “Grupit të Drenicës”, apo për të përdorur vetë terminologjinë e rrjeteve të kriminalitetit të organizuar, ‘kumbara’ i tij, nuk ishte tjetër veçse një aktor i njohur i jetës politike lokale dhe ndoshta personaliteti i UÇK-së më i njohuri në skenën ndërkombëtare, Hashim Thaçi”, shkruan në raportin e Këshillit të Evropës të hartuar nga senatori Dick Marty.

Ky raport i vlerësuar si antishqiptar tashmë është kthyer në një aktakuzë të Prokurorisë që do të dorëzohet në Gjykatën Speciale sapo të themelohet ajo në Hagë.

Presidenti i ardhshëm i Kosovës, Hashim Thaçi është ndër më të përmendurit në këtë raport.

Gjithë kontributi i tij për çlirimin e vendit, tashmë ka rënë nën hijen e akuzave për krime të rënda. Madje pak shfaqen pamje të tij teksa lexon deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

Një kërkim në Google me emrin e tij të shfaqen fotografi e shkrime që më së paku do të donte t’i shihte ai vetë.

“Mafioz” e kishte cilësuar revista amerikane “The New Yorker”.

E keqja akoma nuk ka ardhur

Thaçi si kryeministër i vendit prej disa vjetësh nuk ishte imazhi kryesor i Kosovës në botë. Shkëlqimin e tmerrshëm ia humbte paksa Atifete jahjaga, një ish-police e papërvojë në politikë. Asnjëherë nuk është shkruar keq për të në mediat ndërkombëtare. Përkundrazi.

Pozitën që e mbajti për pesë vjet, Jahjaga pritet t’ia dorëzojë Hashim Thaçit më 7 mars të këtij viti. Pikërisht, atë ditë pritet të “vije e keqja më e madhe”.

Thaçi mbi të cilin rëndojnë akuza të rënda edhe të trafikimit të drogës, do të jetë përfaqësuesi i Kosovës si autoriteti më i lartë në politikë të jashtme.

Për ecjen e tij politike deri në krye të shtetit, Thaçi i detyrohet pa asnjë dyshim përkrahjes së Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera perëndimore. E kanë konsideruar si partnerin në projektin për shtetin e Kosovës dhe stabilitetin e brendshëm.

Nga ana tjetër, shërbimet inteligjente të këtyre shteteve e përshkruajnë Thaçin si drejtues i “Grupit të Drenicës”.

“Shërbimet e ngarkuara me luftën kundër trafikut të drogës përcaktojnë me saktësi në raporte sekrete se tregtia e heroinës dhe e narkotikëve të tjerë për një periudhë dhjetë vjeçare kontrollohej në mënyrë të dhunshme nga Hashim Thaçi dhe anëtarë të tjerë të “Grupit të Drenicës”, shkruan në raporton e Këshillit të Evropës.

Suksesi politik i Hashim Thaçit në shumicën e rasteve është shembur nga vetë ai. Përgjimet telefonike të aferës pronto e kishin nxjerr atë lakuriq si një hileqar që luftonte kundërshtarët politik brenda partisë së tij. Jakup Krasniqit e Fatmir Limajt i kishte shpallur luftë të hapur deri në largim nga PDK-ja.

Njihet edhe për të folurën e tij në gjuhën italiane.

Bisedat telefonike të postuara në internet kanë nisur të bëhen hite. Më së shumti komente në “Yotube.com” ka marrë biseda e nisur në italisht ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe deputetit Grabovci. Aty shihet se si Grabovci ndjen kënaqësi kur flet me shefin e tij. Këtë nuk e fsheh.

Grabovci: Pronto.

Thaçi: Allo, pronto, hë, hë, hë.

Grabovci: Come stai?

Thaçi: Çka po keshesh ME muzika?

Grabovci: Qashtu pej kënaqësie.

Thaçi: A?

Grabovci: Pej kënaqësie se qitash e takoj kryetarin e Skenderajt.

Thaçi: Hë nanën. Çka po bojke ai?

Grabovci: O t’u m’prit qaty poshtë me pi kafe.

Thaçi: Ku?

Grabovci: Po e marr po vi naltë me to, në Qeveri.

Thaçi: Ok.

Kjo gjuhë komunikimi në telefon që ishte përgjuar nga Policia me vendim të Gjykatës gjatë hetimeve kundër Adem Grabovcit si pjesë e grupit të të dyshuarve në krye me Fatmir Limajn, ishte cilësuar si mafioze nga shoqëria civile.

I tmerruar me këtë gjuhë ishte shprehur edhe Isa Mustafa, aso kohe lider i opozitës.

“Për neve është mjaft shqetësuese, shqetësues është fakti i gjuhës që përdoret dhe shqetësues është fakti i përgjimit. Në si LDK kemi dhënë për një kohë të gjatë vërejtjet tona se ne po zhvillojmë një shtet policor në Kosovë”, kishte theksuar Mustafa.

Tash Mustafa kryeministër i dalë si rezultat i koalicionit me PDK-në është duke bërë presion mbi deputetët e partisë së tij që ta votojnë Thaçin për president. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje dhe ata që votojnë kundër nuk do të futën më në listën e LDK-së për deputetë.

Mustafa po insiston që ta bëjë president njeriun që për gjatë gjithë këtyre viteve e kanë akuzuar se qëndron prapa vrasjeve të anëtarëve të LDK-së.

Akuzat për vrasje të kundërshtarëve politikë

Ky dyshim i tyre është i bazuar edhe në dokumente zyrtare.

Dokumenti që më së shumti i kishte forcuar këto dyshime ishte një raport i Njësisë për hetimin e krimit të organizuar e Policisë së EULEX-it që thoshte se anëtarët e LDK-së janë vrarë për motive politike dhe vetëm pse ishin kundërshtar të PDK-së.

Policia e EULEX-it kishte renditur dhjetëra raste të vrasjeve prej Xhemajl Mustafës e deri tek ajo e Shaban Manajt të cilat i ka konsideruar si krime të motivuara politikisht. Prapa këtyre vrasjeve, vrasjeve në tentativë rrahjeve e kidnapimeve, sipas hetuesve qëndron një organizatë e mirëfilltë e financuar mirë.

“Modelet e vrasjeve që janë theksuar në raport, shënjestrat dhe koha, që të gjitha sugjerojnë së procesi që nuk ishte i rastësishëm, por më shumë i lidhur në një farë forme me një strategji të përgjithshme”, thuhej në raportin e Policisë.

Për këto krime gishti ishte drejtuar vazhdimisht kah Hashim Thaçi i cili për të gjallë të Ibrahim Rugovës kishte mbetur vazhdimisht nën hijen e tij.

Wikileaks: Thaçi dëshiron pushtetin me çdo kusht

Për luftën e Thaçit për të ardhur në pushtet me çdo kusht ishte zbuluar edhe prej kabllogrameve diplomatike të publikuara në Wikileaks.

Ai po vuante se pse Washingtoni nuk ishte as i interesuar fort e as edhe miqësor ndaj tij. Ky fakt zbulohej nga një kabllogram i vitit 2001, dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit nga zyra amerikane në Prishtinë.

“Fati i tij politik në Kosovë po bie. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ibrahim Rugova, ka rreth 12 vite i përfshirë politikisht si lider i Kosovës dhe gëzon popullaritet të fuqishëm në favor të tij. Thaçi gjithmonë do të mbetet prapa personalitetit të Rugovës si një figurë babai për shqiptarët e Kosovës”, thuhet në një kabllogram konfidencial të nënshkruar nga shefi i atëhershëm i zyrës amerikane, ambasadori John Menzies.

Kabllogrami fliste për Thaçin në prag të vizitës së tij në SHBA. Aty thuhej se do të “kërkojë demonstrim të miratimit të tij, në masën më të madhe për të forcuar imazhin e tij në Kosovë, por edhe për shkak se e dëshiron njohjen”.

Thaçi përshkruhej si një politikan që më çdo kush e dëshiron pushtetin.

“Në takimet e tij në Washington ne duhet ta shtyjmë atë edhe për ta bërë pjesën e tij para dhe pas zgjedhjeve të nëntorit për konsolidimin e demokracisë në Kosovë”, thuhet në kabllogramin diplomatik, që mban datën e 11 shtatorit 2001.

“Disi në kundërshtim me intuitën, ndoshta, është pikërisht Thaçi ai që më së shumti është mbështetur në ‘aleancën’ e supozuar me SHBA-në për të forcuar fatin e tij politik”, thuhet në kabllogramin konfidencial të shtatorit 2001.

Një profil të gjerë Thaçit ia kishte bërë edhe ambasadorja amerikane Tina Kaidanow në vitin 2008. Në një kabllogram të 10 janarit thuhej se njerëzit më të afërm të tij janë Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Hajredin Kuçi e Fatmir Limaj.

Megjithatë, në kabllogrami theksohej frika e Hashim Thaçit karshi Fatmir Limajt për popullaritetin në rritje të tij, sidomos pas shpalljes si i pafajshëm nga gjykata e Hagës për krimet e luftës.

Thaçi nuk është më nën hijen e kurrkujt. Ai është politikani më i votuar në Kosovë. Rugova tashmë ka vdekur, e Fatmir Limaj ka krijuar një parti tjetër me të cilën po e lufton prej kohësh edhe me protesta.

Thaçi megjithatë mbetet nën hijen e vetvetes. Mbetet nën hijen e imazhit ndërkombëtar të një trafikanti dhe udhëheqësi të një bande kriminale.

Këtë hije pritet t’ia hedh edhe më shumë Kosovës prej pozitës së presidentit.