Kadri Veselin e pret burgu nëse refuzon bashkëpunimin me drejtësinë

Nëse Gjykata Themelore e Prishtinës do të aplikonte plotësisht ligjin, atëherë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli do të arrestohet për ta dërguar në Gjykatë në cilësi të dëshmitarit. Nëse ai do të refuzonte të dëshmonte sërish kundër deputetëve të akuzuar të opozitës, atëherë do të dënohej me burgim deri në një muaj. Gjoba e parë për mosbashkëpunim me drejtësinë, Veselit i është shqiptuar të premten. Për mosbashkëpunim me drejtësinë, ishte dënuar me një muaj burgim ish-kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi.   

Kadri Veselin e pret burgu nëse refuzon bashkëpunimin me drejtësinë

Kur Blerim Kuçi kishte refuzuar të dëshmonte kundër Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin “Kleçka” në vitin 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte dënuar me një muaj burgim.

Me vuajtjen e këtij dënimi, Kuçi kishte përfunduar detyrimet ligjore për të dëshmuar kundër Limajt dhe të tjerëve të akuzuar për krime lufte.

Neni 135 i Kodit të Procedurës Penale përcakton masat ndëshkuese të dëshmitarëve që refuzojnë të dëshmojnë. Pika 1 e këtij neni është aplikuar të premten nga Gjykata Themelore e Prishtinës kur ka shqiptuar dënime me gjobë prej 200 eurosh për kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, nënkryetari Xhavit Haliti dhe deputetët Bekim Haxhiu, Naser Osmani, Armend Zemaj si dhe punëtorët e administratës Shpresa Gosalci dhe Leonora Halimaj.

Ata janë dëshmitarë kundër disa deputetëve të opozitës të cilët akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Gaz kishin hedhur shumica e deputetëve të Vetëvendosjes dhe disa prej deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Nismës për Kosovën.

Me këto veprime, ata kundërshtonin miratimin e Ligjit për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Acociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Nëse Veseli dhe dëshmitarët tjerë refuzojnë të dëshmojnë edhe pas këtij dënimi me gjobë, ata i presin dënime tjera me gjobë. Por, nëse refuzojnë sërish dhe Gjykata aplikon pikën 2 të nenit 135 të Kodit të Procedurës Penale, kryetarin e Kuvendit e pret dënimi me burgim prej një muajsh.

Vetëm, atëherë ai shlyen obligimin ligjor për të dëshmuar kundër kolegëve të tij deputetë të akuzuar për vepra penale të dënueshme deri në tetë vjet burgim.

“Kur dëshmitari i cili është thirrur me rregull nuk paraqitet, e mosparaqitjen nuk e arsyeton, ose pa leje dhe shkak të arsyeshëm largohet nga vendi ku duhet të pyetet, atëherë mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të dënohet me gjobë deri dyqindepesëdhjetë euro për çdo herë qe nuk paraqitet”, shkruan në pikën 1 të nenit 135.

“Nëse dëshmitari paraqitet kur është thirrur, por pasi të jetë bërë me dije për pasojat refuzon të dëshmojë pa arsyetim ligjor, mund të dënohet me gjobë deri në dyqindepesëdhjetë euro. Kur edhe pas kësaj refuzon të dëshmojë, atëherë mund të burgoset. Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, shkruan në pikën 2.

Ligji parasheh lëshimin e urdhërarrestit për ta dërguar dëshmitarin para trupit gjykues për të dëshmuar.

Raste të shumta të arrestimit të aktivistëve të Vetëvendosjes kanë ndodhur për shkak të refuzimit për të dëshmuar.

Insajderi ka provuar të flas me gjyqtarin Beqir Kalludra për ta pyetur nëse pritet të lëshojë urdhër që këta dëshmitarë të dërgohen me forcë në Gjykatë, por u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Ndërkohë, në seancën e së premtes Gjykata ka lëshuar urdhërarrest për deputetin, Albin Kurti. Ai është njëri prej të akuzuarve për hedhje të gazit. Kurti nuk i është përgjigjur pozitivisht Gjykatës.

Në këtë seancë të ndërprerë pak kohë pas nisjes, në cilësi të dëshmitarëve janë paraqitur deputetët Flora Brovina, Blerta Deliu Kodra dhe Nuredin Ibishi. /Insajderi.com