“Kadri Veseli s’duhet ta kërcënojë dikë që është më i fortë”

“Kadri Veseli s’duhet ta kërcënojë dikë që është më i fortë”

Intervista e mbrëmshme e kryeparlamentarit Kadri Veseli në Televizionin T7 ka shkaktuar një reagim të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën e Metohinë” të Qeverisë e Serbisë.

Zyra e Marko Gjuriqit e ka porositur Veselin se Presheva, Medvegja dhe Nishi kurrë s’do të jenë territore kosovare, porse Prishtina është dhe do të mbetet pjesë e Serbisë.

“Kadri Veseli të mos gëzohet (“Neka se Kadri Veselji ne veseli”, thuhet në origjinal) sepse Kosova e Metohija kurrë s’do të jetë shtet, e as Presheva, Medvegja apo Nishi ndonjëherë do të jenë pjesë e të ashtuquajturës Republika e Kosovës, por Prishtina është dhe do të mbetet pjesë e Serbisë, ndërsa ai do të jetë shtetas serb”, thuhet në reagimin e kësaj zyre.

Veseli për TV T7 tha se nuk ka mundësi për ndryshim të kufijve, porse nuk ka asgjë kundër sikur Serbia t’ia jepte Kosovës Preshevën, Medvegjen dhe komuna tjera të Serbisë jugore, duke shtuar se “shteti ynë s’ka çka t’i japë Serbisë”.

“Kadri Veseli, përndryshe i njohur për atë që i pëlqen të kërcënohet me luftë dhe me rrëmbim territoresh, duhet ta dijë se s’është punë e mençur të kërcënohesh me dhunë, sidomos jo ndaj më të fortit se vetja”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, zyra e Gjuriqit porosit se “ka ardhur koha e dialogut, në të cilën problemet nuk zgjidhen me sulme të ulëta, gjë që ai si komandant i dikurshëm i UÇK-së terroriste nuk e ka lehtë ta kuptojë, por do të ketë kohë edhe për ballafaqim me realitetin./Express/