Juventusi kërkon mesfushorin e Real Madridit

Juventusi kërkon mesfushorin e Real Madridit

Për italianët e Juventusit, beteja për gjetjen e një mesfushori mbetet ende e ndezur. Skuadra e drejtuar nga Alegri është në kërkim për një lojtar, i cili të shfaqë formën më të mirë të mundshme me fanellën e zonjës së vjetër duke favorizuar një prej mesfushorëve më në zë të Spanjës.

Bëhet fjalë për mesfushorin kroat Mateo Kovaçiç.

Për 23-vjeçarin, Alegri ka shprehur hapur kënaqësinë për ta patur në radhët e skuadrës së tij, duke favorizuar yllin e Realit të Madridit. Gjatë ditës së djeshme, sipas burimeve spanjolle, thuhet se klubi i “zonjës së vjetër” ka patur kontakte me Realin sa i përket mesfushorit kroat.

Nga ana tjetër, kreu i Juventusit, Marota është duke reflektuar mbi shumën e blerjes, e cila është 25 milionë euro. Kovaçiç është një prej emrave, i cili është përmendur shpesh gjatë sezonit të merkatos, si një prej synimeve kryesore në pozicionin e mesfushës për shumë klube të nivelit të lartë.

Pas Milanit dhe Interit, Mateo Kovaçiç i është ofruar edhe zonjës së vjetër, blerja ose huazimi i të cilit do të shënonte një prej çasteve më kryesore të kësaj merkatoje në skuadrën e bardhezinjve.

Megjithatë, një prej arsyeve pse Reali i Madridit kërkon ta shesë ose huazojë është edhe rivaliteti i madh në skuadër.

Megjithatë pas ndodhive të fundit, Kovaçiç pritet të mos ketë më një rol kryesor në formacionin e teknikut francez, Zinedin Zidan. Nga ana tjetër, thuhet se Mateo Kovaçiç do të jepet vetëm për huazim, kjo pasi krerët e skuadrës spanjolle të Realit nuk duan të humbasin nga radhët e tyre një lojtar me shumë potencial si kroati.

Por për italianët e Juventusit, emri i Kovaçiçit mund të renditet mes shumë emrave të tjerë, të cilët “zonja e vjetër” kërkon t’i veshë fanellën bardhezi. Shifra e blerjes për kroatin pritet të jetë 25 milionë euro, megjithatë për Juventusin mbeten ende si mundësira mjaft të mira emrat si: Matuidi, Emre Xhan, N’Zonzi dhe Rabio, të cilët janë konsideruar edhe si emra, të cilët do t’i përshtateshin edhe më mirë karakterit luftarak të “zonjës së vjetër”.