Juve-Barça, dy vite pas finales

Juve-Barça, dy vite pas finales

Juventus dhe Barcelona do të kenë fatin të përballen me njëra-tjetrën, në fazën çerekfinale të Champions League, më 11 dhe 19 prill.

Kjo është një nga super-sfidat që mund të cilësohet edhe si finale e parakohshme, për vetë faktin se të dy ekipet janë nga pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut.

Hera e fundit që këto ekipe janë ndeshur bashkë, ka qenë pikërisht një finale e Champions League, ajo e 6 qershorit të 2015-ës, e fituar nga katalanasit, me rezultatin 3-1.

2 vite më pas, Barcelona ka bërë shumë pak ndryshime dhe Dani Alves është i vetmi futbollist që i mungon formacionit të katalanas, nga finalja e para dy viteve.

Mbrojësi brazilian u largua këtë verë nga Spanja, për t’u bashkuar pikërisht me Juventusin dhe do të rikthehet si kundërshtar në “Camp Nou”, më 19 prill.

Por, nëse Barcelona vjen thuajse e njëjtë, nuk mund te thuhet e njëjta gjë për kampionët e Italisë.

Juventusi aktual ka pësuar ndryshime të mëdha nga ekipi finalist i 2015-ës, veçanërisht në mesfushë dhe sulm.

Evra, Pirlo, Pogba, Vidal, Morata dhe Tevez, janë 6 futbollistët që i mungojnë Juventusit të sotëm, por edhe skema e ekipit të Allegrit, nuk është më e njëjta.

4-2-3-1 është rreshtimi që po aplikohet nga torinezët këtë sezon dhe duket se ekipi po funksionon më së miri.