Juncker parasheh luftë në Ballkan nëse shpërbëhet BE-ja

25.03.2017 08:29
Juncker parasheh luftë në Ballkan nëse shpërbëhet BE-ja

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka paralajmëruar nënpresidentin amerikan, Mike Pence, për mundëinë e një lufte të re në Ballkanin Perëndimor, nëse shpërbëhet Bashkimi Evropian.

Pence ka qëndruar në Bruksel më 20 shkurt, por detajet e bisedës, Juncker i ka zbuluar në një intervistë për gazetën Financial Times, të publikuar të premten.

Administrata e re amerikane, me në krye presidentin Donald Trump, ka vlerësuar disa herë se largimi i Britanisë së Madhe nga BE-ja, do të nxisë edhe vende të tjera të braktisin bllokun.

“I kam thënë (v.j. nënpresidentit Pence): Mos i ftoni të tjerët të largohen, sepse nëse BE-ja kolapson, do të keni luftë tjetër në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Juncker për Financial Times.

“Mundësia e vetme për këtë pjesë të torturuar të Evropës është të ketë perspektivë evropiane. Nëse i lëmë vetëm – Bosnjën dhe Hercegovinën, Republikën Sërpska, Maqedoninë, Shqipërinë, të gjitha këto vende – do të kemi prapë luftë”, ka thënë Juncker.(rel)