Joshua pret që Takam të rezistojë gjatë

Joshua pret që Takam të rezistojë gjatë

Anthony Joshua do të jetë favorit absolut të shtunën mbrëma përballë kamerunasit Carlos Takam, ndërsa britaniku do të synojë të mbrojë titujt e botës në peshën e rëndë në boksin profesionist.

Joshua ka zbuluar se do të ndeshet me Takamin vetëm javën e kaluar, pasi kundërshtari i tij i paraparë në luftën për titujt IBF, WBA dhe IBO, bullgari Kubrat Pulev u tërhoq për shkak të lëndimit, transmeton Koha Ditore.

Superylli i pamposhtur i boksit po pritet që të fitojë me nokaut ndaj kamerunasit Takam në Cardiff, mirëpo ai insiston se nuk do të jetë një natë e lehtë për të.

“Ai është i qëndrueshëm. Do të bëhet edhe më i qëndrueshëm, pasi do të jetë në një territor armiqësor”, ka thënë Joshua për “Sky Sports”. “Njerëzit më pyesin se në cilin raund do të triumfoj me ndërprerje. Mendoj se do të shkojmë në 10 apo 12 raunde, pasi ky kundërshtar ka kokën si një bllok i çimentos”.