“Jo sa të jam unë!” – zotimi i kryeministrit për ‘Raportin e Bulliqit’ zgjat vetëm një ditë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka hequr dorë nga zotimi që dha të premtën se Qeveria e Kosovës nuk do ta sillte në Kuvendin e Kosovës një projektligj për demarkacionin me Malin e Zi, në të cilin "Raporti i Bulliqit" do të shtohej vetëm si "dokument orientues".

“Jo sa të jam unë!” – zotimi i kryeministrit për ‘Raportin e Bulliqit’ zgjat vetëm një ditë

“Po doni me e qujt dokument orientues [raportin e Komisionit Shtetëror]. Jo sa të jam unë! Jo”, tha të premtën kryeministri Ramush Haradinaj në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, teksa zotohej se nuk do t’iu dërgonte deputetëve marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pa “Raportin e Bulliqit”.

Haradinaj u ishte drejtuar deputetëve të LDK-së në veçanti, pasi kjo parti i vendosi kusht kryeministrit që të sillte në Kuvendin e Kosovës Marrëveshjen për Ratifikimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, të vitit 2015, por me “Raportin e Bulliqit” vetëm si dokument shtesë bashkangjitur në Projektligj.

“A keni problem me një raport të një komisioni të vendit të juaj a? Ku po ju dhembë?!”, u shpreh Haradinaj.

Por zotimi i kryeministrit për “Raportin e Bulliqit” nuk ekziston më. Haradinaj ka njoftuar sot se ka arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për ratifikimin e demarkacionit, raporton Insajderi.

Në këtë marrëveshje është paraparë që raporti i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi, të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, të shtohet në Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kufitare me Malin e Zi vetëm si “dokument orientues”.

Kështu ka konfirmuar edhe deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Marrëveshja parasheh që pjesë e ligjit të jenë Marrëveshja e gushtit 2015 dhe deklarata e presidentëve. Të gjitha dokumentet tjera, të gjitha raportet e të gjitha Komisioneve, janë veçse informuese për deputetët”, ka thënë Abdixhiku.

Seanca e radhës për votimin e demarkacionit me Malin e Zi është caktuar të mbahet të mërkurën. /Insajderi.com