Jeremiq: Thaçi është në Nju-Jork, po takohet me Vuçiqin

Jeremiq: Thaçi është në Nju-Jork, po takohet me Vuçiqin

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremiq, ka pohuar dje, nëpërmjet një “cicërime” në Twitter, se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar ditë më parë tinëz, në Paris, me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi. Sot, Jeremiq ka thënë se Thaçi e Vuçiq po takohen përsëri – këtë herë në Nju-Jork.

“Pas një darke të fshehtë, të martën e kaluar, në Paris, Hashim Thaçi përsëri ndodhet në rrugë. Aktualisht është në Nju-Jork. Edhe një pyetje, Aleksandar Vuçiq: A jeni në të njëjtin hotel?”, ka shkruar Jeremiq, në Twitter, të hënën.

Të dielën, Jeremiq ka thënë se në Paris – ku Thaçi kishte shkuar për ta provomuar librin e tij – të martën që shkoi, tinëz opinionit ka qëndruar edhe Vuçiq, i cili, sipas Jeremiqit, ka darkuar me Thaçin.

Jeremiq ka thënë se kreu i shtetit serb është duke zhvilluar negociata të fshehta me Thaçin. Ai më pas ka thënë se Vuçiq të dielën ka udhëtuar po ashtu tinëz në Nju-Jork.

Por, Vuçiq i është përgjigjur në mënyrë ironike Jeremiqit, teksa ka konfirmuar që ndodhet në Shtetet e Bashkuara.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, presidenti serb ka thënë se atje ndodhet për një darkë, me familjen Soros. Por, Vuçiq ka thënë se kjo darkë ka dështuar. “Për fat të keq, nuk pata mundësinë të takoj askënd nga familja Soros”, ka shkruar ai.

Të hënën, Thaçi ka takuar kryeministrin Ramush Haradinaj, në zyrën e tij. Zyra e Presidentit kosovar ka konfirmuar se mëngjesin e sotëm janë takuar dy udhëheqësit.

“Ka qenë takim i rregullt, siç takohen shpesh kryeministri dhe presidenti. Është diskutuar për temat aktuale”, kanë deklaruar për Express nga Zyra për Informim e Presidentit.

Ndërkaq, Zëri i Amerikës, në gjuhën serbe, ka njoftuar se Vuçiq ka udhëtuar në SHBA me vajzën e tij, në një vizitë private.

Vetë Vuçiq, mbrëmë, ka thënë se ka shkuar atje për një darkë me familjen Soros.