Jeremiq merr edhe dy vota më shumë për sekretar të OKB-së

Jeremiq merr edhe dy vota më shumë për sekretar të OKB-së

Raundi i katërt të votimit për të zgjedhur Sekretarin e ri Gjeneral të Kombeve të Bashkuara është mbajtur në selinë e OKB-së në New York, dhe ish kryeministri portugez Antonio Guterres ende po e kryeson garën, kurse kandidati serb Vuk Jeremiq, mbetet ende në pozitën e tretë, mirëpo me dy vota më shumë se që i kishte në rundin e kaluar.

Sipas informacioneve jo zyrtare dhe të pakonfirmuara, Guterres ka marrë 12 vota në përkrahje, 2 kundër dhe një votë pa opinion. Pas tij në radhë është Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak me 10 vota pro, katër kundër dhe asnjë abstenim, raportojnë mediat serbe, transmeton Klan Kosova.

Kurse, i treti është serbi Vuk Jeremiq, i cili ka nëntë vota pro, katër kundër dhe dy abstenime. Ky është rezultati më i mirë i tij deri më tash.

Mediat në Serbi dhe disa media ndërkombëtare kanë raportuar se Konsullata e Kosovës në New York i ka dërguar një letër përfaqësuesve të shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të shprehur kundërshtimin e fuqishëm të tyre për zgjedhjen e mundshme të serbit, Vuk Jeremiq, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së.

Një raund i ri i votimeve për pasardhësin e Ban Ki-Moon-it do të zhvillohet sot në OKB në New York, ndërsa mandati i Ki-Moon-it përfundon në fund të këtij viti.