Jep dorëheqjen kryetari i KQZ-së në Shqipëri

Jep dorëheqjen kryetari i KQZ-së në Shqipëri

Kryetari i KQZ-së në Shqipëri, Denar Biba, ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij si kryetar i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri.

Komisioni i Ligjeve ka bërë konstatimin e dorëheqjes së Bibës nga detyra e kreut të KQZ-së.

“Sipas ligjit të Mërfit, ‘nëse diçka e  keqe do të ndodhë, atëherë ajo do të ndodhë në momentin më të keq të mundshëm”. Ja kështu është ky ‘ndryshim kuajsh në mes të lumit’, i padëshirueshëm nga këndvështrimi i ngushtë i stabilitetit të institucioneve, por i nevojshëm për stabilitetin e vendit”, ka shkruar Biba në profilin e tij të Facebook-ut.

Biba e konsideron këtë një aksident profesional por që nuk ka pasoja të pakthyeshme, dhe se aksidentet janë të nevojshme për evolucion.

“Personalisht e konsideroj një aksident profesional përgjatë një karriere të konsoliduar, që nuk ka asnjë pasojë të pakthyeshme. Fundja, aksidentet shpesh kanë qenë shkak për evolucionin njerëzor, dhe unë e kam të provuar mëse njëherë këtë”, ka shkruar ai.

Bashkë me këtë reagim në profilin e tij në Facebook, Biba ka publikuar edhe letrën e dorëheqjes. /Insajderi.com