Jep dorëheqje ministri që kërkoi regjistrimin e tradhtarëve

Jep dorëheqje ministri që kërkoi regjistrimin e tradhtarëve

Pas më shumë se një dite diskutime në qeverinë kroate, ministri i veteranëve të luftës, Mijo Crnoja dha dorëheqjen të enjten në mbrëmje.

Raportimet e medias e kishin akuzuar Crnojan për raportim fals të një vendbanimi, mashtrim me taksat dhe sigurimin shëndetësor, akte dhune fizike dhe dhunim të pronës private. Që nga fillimi ai i hodhi poshtë pretendimet, raporton Insajderi.

Ai e mbrojti çështjen të mërkurën dhe të enjten përpara kryeministrit Tihmori Oreskoviç dhe zv. kryeministrit Tomislav Karamarko, gjithashtu kryetar i partisë së Bashkimit Demokratik Kroat. Ekspertë ligjorë u thirrën për të vlerësuar dokumentet që ai paraqiti për pafajësinë e tij.

Ndërsa lajmëroi dorëheqjen të enjten, Crnoja sërish përsëriti pretendimin se ishte i pafajshëm.

“Kam dorëzuar dorëheqjen te kryeministri”, tha ai.

“Pavarësisht se provat e mia tregojnë se jam i pafajshëm, figura e medias mbi mua është e padrejtë, por gjithsesi nuk dua t’i bëhem problem  ose barrë qeverisë”, tha ai.

Crnoja dha dorëheqjen gjashtë ditë pasi u emërua si ministër më 22 janar. Ai shkaktoi polemika të menjëhershme me idenë e regjistrimit të tradhtarëve dhe agresorëve kundër Kroacisë në luftën për pavarësi në vitet 1990.

Kjo tërhoqi protesta dhe reagim satirik ku 7000 njerëz nënshkruan si tradhtarë për t’u tallur.

Problemet e vërteta të tij filluan të hënën kur portali i lajmeve ‘Index’ tha se ai nuk e kishte regjistruar siç duhet banimin e tij.

‘Index’ zbuloi se adresa që ai kishte dhënë i përkiste një kasolleje në një qytet afër Zagrebit.

Ai e pranoi fajin dhe premtoi se do t’i kthente të gjitha taksat që kishte shmangur që nga viti 2013 te bashkia e Zagrebit.

Media gjithashtu raportoi për një dënim të shkallës së parë ndaj tij, për dhunim prone private.