“Jemi të pastër si loti” – Haziri mbron listën e LDK-së në Gjilan

“Jemi të pastër si loti” – Haziri mbron listën e LDK-së në Gjilan

Lutfi Haziri, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherit kandidat për kryetar të kësaj komune edhe për një mandate ka thënë se “lista e LDK-së në Gjilan është e pastër si loti”.

“Për dallim nga të tjerët, LDK e ka edhe kandidatin më të ri, edhe bartësin e listës më të ri, e kemi edhe moshën më të re se të gjitha partitë politike. Lista e LDK-së në substancë ofron ndryshim dhe dominohet kryesisht nga arsimi dhe shëndetësia. Duke pasur parasysh background-in, profesionet, rregullshmërinë, fytyrat e pastërta e duart e pastërta, ne presim që KQZ t’i certifikoj të gjitha këto kandidatura” ka thënë Haziri në konferencën ku ka prezantuar kandidatët e kësaj partie të cilët garojnë për Asamblenë komunale.

Haziri ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë me qytetarët dhe për qytetarët, njofton Klan Kosova.

“Ne kemi arritur ta thyejmë çdo lloj përjashtimi që e kemi gjetur në Gjilan. E kemi integruar Gjilanin me Prishtinën në fazën e parë, e kemi përafruar Gjilanin me Tiranën, e kemi përafruar Gjilanin me mikroregjionin europian me Brukselin. Ky qytet është i vetmi në Kosovë i cili ka sjellë 20 përfaqësues të BE-së në pushtet lokal. Ky qytet tashmë ka miq, presidentë, ministra dhe autoritete të larta që përfshinë Uashingtonin zyrtar dhe Brukselin zyrtar”.

“Ne edhe më tutje do të punojmë në zhvillimin e infrastrukturës, fillimin e ndërtimit të autostradës Gjilan-Prishtinë, fillimin e ndërtimit të Rrugës së Prishtinës dhe atë Gjilan-Livoç-Kllokot, e cila ka filluar të bëhet realitet dhe investimet në çdo vendbanim e fshat të komunës sonë”, ka shtuar Haziri, duke pohuar se në katër vitet e ardhshme Gjilani do të marrë fazë krejt tjetër zhvillimore.

Haziri në fund të kësaj konference i ka falënderuar bashkatdhetarët që jetojnë në perëndim për siç tha, rolin historik të zhvillimit të Gjilanit.