Jeleku i thjeshtë i Kurteshit dhe xhaketa e markës së shtrenjtë e Ahmetit

Jeleku i thjeshtë i Kurteshit dhe xhaketa e markës së shtrenjtë e Ahmetit

Me të përfunduar mbledhja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, tre zyrtarë të lartë të partisë dolën për të komunikuar me mediat: kryetari Visar Ymeri, sekretari Organizativ Ismajl Kurteshi dhe anëtari i Kryesisë Shpend Ahmeti.

Kurteshi dukej i lodhur pas mbledhjes që zgjati rreth pesë orë. Ai kishte zgjedhur të veshte rroba të thjeshta, jo të shtrenjta, ashtu sikurse edhe kryetari i partisë Visar Ymeri.

Mirëpo, për dallim nga sekretari Organizativ dhe kryetari, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti kishte zgjedhur që në mbledhjen e Kryesisë së partisë të shkonte me veshje më elegante, raporton Gazeta Online Insajderi.

Ahmeti kishte zgjedhur të vishte një xhaketë elegante të brendit irlandez të rrobave, Gant.

Një xhaketë e njëjtë sikurse e kryetarit të Komunës së Prishtinës, në uebsajtin e kësaj kompanie – Gant.com – shitet me një çmim prej 275 dollarëve amerikanë.

Insajderi ka kontaktuar me Ahmetin për të kërkuar se cili është çmimi që e ka blerë xhaketën. Ahmeti nuk është përgjigjur.


Xhaketë e brendit të njohur irlandez Gant/ Fotografia: Gant.com

Shpend Ahmeti është kryetar i Komunës së Prishtinës prej katër vitesh, derisa në zgjedhjet lokale më 22 tetor të këtij viti, është rizgjedhur në krye të Komunës edhe për katër vite të tjera.

Ai ishte bërë pjesë e diskutimeve për luksin edhe kur ishte fotografuar duke qëndruar në një jaht bashkë me Blerim Devollin, ani pse Ahmeti u arsyetua duke thënë se kishte pirë vetëm Coca Cola zero dhe se nuk kishte udhëtuar me jaht.

Megjithatë duket se Ahmeti është i dhënë pas veshjeve të markave të shtrenjta, pasi “Gant” llogaritet të jetë një prej brendeve më të shtrenjta për veshje burrash. /Insajderi.com