“Je sharlatan dhe i gërditshëm” – Lushtaku reagon për Bahtirin

“Je sharlatan dhe i gërditshëm” – Lushtaku reagon për Bahtirin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, ka zgjedhur të bëjë një shkrim në Facebook për t’ia thënë disa fjalë kandidatit për kryetar të Mitrovicës nga Aleanca Kosova e Re, njëherësh kryetar aktual i Komunës, Agim Bahtiri.

Lushtaku, në një shkrim të publikuar të dielën në rrjetin social, e ka quajtur nënkryetarin e Aleancës Kosova e Re sharlatan dhe të gërditshëm.

“Është turp për një qytet emblematik siç është Mitrovica të ketë një kandidat të këtillë ta përfaqësojë e jo më të imagjinohet që ta udhëheqë komunën allasoji i Bahtirit, që në dy fjalë i ka tri gënjeshta a budallakina kur ai flet, e që janë ushqim për titujt e lajmeve që rrisin klikimet nëpër portale”, ka shkruar Lushtaku, ndër të tjera.

Shkrimi i plotë i Mergim Lushtakut:

Te nderuar miq !

Nuk është në natyrën time t’i personalizoj gjërat ose të merrem direkt me individë, e aq më tepër me njerëz që s’janë në asnjë nivel, sikurse shembulli i kandidatit për Mitrovicë, Agim Bahtirit. 

Por sharlatantizmi e injoranca me të cilën ai sillet e propagandon të gërditë dhe kur mbushet kupa të detyron ta nxjerrësh përjashta atë që ta vlon barkun përbrenda.
Është turp për një qytet emblematik siç është Mitrovica të ketë një kandidat të këtillë ta përfaqësojë e jo më të imagjinohet që ta udhëheqë komunën allasoji i Bahtirit, që në dy fjalë i ka tri gënjeshta a budallakina kur ai flet, e që janë ushqim për titujt e lajmeve që rrisin klikimet nëpër portale. Sidomos kur flet për gjëra sikurse pëllumbat e Këshillin e Sigurimit i vë kapakun e cirkushanes. 

Qytetarët e Mitrovicës duhet ta dënojnë me votë.

Dhe kështu ta pensionojnë politikisht edhe në nivelin lokal siç e kanë bërë në nivelin qendror kur ia pamundësuan sojit të këtillë të bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës.
Me respekt,