Jashari përshëndet PDK-në që vendosi të mos dalë me kundërkandidat

Jashari përshëndet PDK-në që vendosi të mos dalë me kundërkandidat

Kandidati i pavarur për kryetar të Skenderajt Bekim Jashari përmes një postimi në Facebook ka komentuar vendimin e tij për t’i hyrë garës për të parin e komunës dhe është zotuar se do të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Të dashur vëllezër e motra, të dashur qytetarë te Skenderajt, dhe po ashtu vëllezër e motra shqiptarë kudo që jeni, këto ditë që lamë pas kanë qenë ditët me të vështira për mua dhe familjen time, ndoshta që nga paslufta e deri më sot, por duke i parë zhvillimet e ditëve që lamë pas, e posaçërisht kërkesën e qytetarëve që unë të dalë për të parin e komunës tonë, mora guximin dhe vendosa që të dalë si kandidat i pavarur për kryetar të qytetit tonë”, ka shkruar Jashari.

Sipas tij, ky vendim nuk ka qenë fare i lehtë, përkundrazi ka qenë një nga vendimet me të vështira deri më sot.

“Prandaj unë kërkoj nga të gjithë ju qytetarë të Skenderajt dhe i gjithë kombi ynë shqiptar kudo që ata janë sot të më kuptojnë drejt për vendimin e marrë. Unë do të mundohem të jem po ai Bekimi që ju e njihni si djali i Hamëz Jasharit dhe anëtar i familjes Jashari”, ka shkruar Jashari.

“Të dashur qytetarë të Skenderajt pa dashur të hyjë më thellë se si do të përfundojnë zgjedhjet e 22 tetorit, unë prapë do  tëjem siç kam qenë në shërbim të vendit tim”, ka shkruar ai më tej.

Jashari ka përshëndetur vendimin e Partisë Demokratike për mosvënien e kandidatit për kryetar në komunën e Skenderajt.