Japoni: Ushtria amerikane e ndaloi blerjen e alkoolit pas një aksidenti

20.11.2017 08:55
Japoni: Ushtria amerikane e ndaloi blerjen e alkoolit pas një aksidenti

Ushtria e Shteteve të Bashkuara në Japoni e ka ndaluar blerjen apo konsumimin e alkoolit nga ana e pjesëtarëve të vet, pasi një ushtar ishte arrestuar për shkak të një aksidenti automobilistik, me ç’rast ishte vrarë një japonez në ishullin Okinava.

Zëdhënësi ushtarak amerikan, Tyler Hopkins, tha mbrëmë se komandanti i forcave amerikane në Japoni, Jerry Martinez, ka urdhëruar ndalesë të alkoolit në bazën ushtarake dhe jashtë saj.

Armata tha se ushtarët amerikanë të vendosur në ishullin Okinava, tash për tash, do të mbesin të izoluar në këtë bazë.

Mediat lokale kanë raportuar se policia në këtë ishull e ka arrestuar një ushtar amerikan 21 vjeçar, i dyshuar për drejtim neglizhent të makinës që për pasojë ka shkaktuar lëndim ose vdekje dhe për grahje nën ndikim të alkoolit, në një aksident nga i cili është vrarë një japonez, 61 vjeçar.

Ushtria amerikane ka trupa në Okinavë prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Aktualisht atje gjenden afro 50 mijë ushtarë, së bashku me 40 mijë anëtarë të familjeve dhe 5,500 të punësuar civilë.