Japonezi Miura bëhet futbollisti më i vjetër në planet

07.03.2017 19:36
Japonezi Miura bëhet futbollisti më i vjetër në planet

Që nga Stoke on Trent në qendër të Britanisë së madhe e deri në Yokohama në një qytet portual në Japoni, rekordi i futbollistit më të vjetër në një aktivitet zyrtar zgjati më shumë se 50 vjet.

Legjenda britanike e futbollit Stenli Metjus arriti të vendoste primatin dekada më parë, por shifra e tij është kaluar nga legjenda japoneze Kazuyoshi Miura.

Sulmuesi për të cilin është pak të thuhet një veteran i fushave të lojës, u aktivizua për 54 minuta në ndeshjen e ligës së dytë japoneze që Yokohama zhvilloi ndaj Nagasakit.

Me 50 vjeç e 7 ditë, bomberi aziatik arriti të kalojë me vetëm 2 ditë baronin e futbollit botëror, Sër Steni Metjus.  Kazuyoshi Miura paradoksalisht e nisi karrierën në Brazil dhe jo në vendlindjen e tij dhe që prej asaj kohe regjistroi tituj dhe shumë gola.

Blerja e tij nga ana e Xhenoas në Serinë A, u bë rasti i parë që një klub përmes sponsorëve, arrin menjëherë të fitojë shuma të majme duke blerë një lojtar pa e aktivizuar akoma.

Mbreti Kazu siç është pagëzuar në Azi, ka shënuar 55 gola me kombëtaren japoneze.