Jakup Krasniqi: Milaim Zekën do ta mbajmë në parti

Jakup Krasniqi: Milaim Zekën do ta mbajmë në parti

Kryetari i Këshillit Kombëtar, të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi ka deklaruar se Milaim Zeka do të vazhdon të mbetet në Nismë, pavarësisht ngritjes së aktakuzës ndaj tij dhe përfshirjes së tij në një audioincizim ku thuhej se Fatmir Limaj u ka kërkuar tre milionë euro ryshfet investitorëve gjermanë.

Krasniqi që pretendohej se i kishte mundësuar takimin mes Limajt, me Ilir Krasniqin dhe investitorëve gjermen ka mohuar një gjë të tillë. Thotë se një veprim të tillë nuk e kishte bërë asnjëherë.

Të gjitha këto, sipas Krasniqit, po bëhen në një kohë kur po tentohet që të zhvendoset vëmendja e opinionit nga ngjarjet e fundit në vend.

Megjithatë, Krasniqi  për KTV thotë se përkundër akuzave që Milaim Zeka i drejtonte atëkohë ndaj ish-ministrit Fatmir Limaj, tashmë bashkëpartiakë që të tre, do të vazhdojnë ta mbajnë Zekën në Nismë, derisa gjykata të vendosë për akuzat që e rëndojnë.

Zeka dhe Krasniqi të dy e fajësojnë njëri-tjetrin për shantazh, derisa më nuk janë miq sepse i ndau një proces hetimor i nisur ndaj tyre si të dyshuar që iu morën para shumë qytetarëve me premtimin për vende pune në Gjermani.

Insajderi ka publikuar dje hulumtimin ku në një audioncizim që ishte bërë nga vetë Zeka, partneri i tij Ilir Krasniqi akuzonte Fatmir Limajn se ka kërkuar ryshfet në vlerë të tre milionëve eurove. Ndërkoh që Zeka shprehej i sigurtë se Limaj do të dënohet nga gjykata për korrupsion.

“Veç, a të kallxoj një këshillë? Thuju këtyne, se qikjo ju vjen mirë këtyre, jo në opozitë, po thuj janë t’u i akuzu bash për korrupsion, e atëherë thojnë aaa… kadal se po funksionoja ligji në Kosovë. Për korrupsion janë duke e akuzu Fatmirin, qitash ka mu dënu për korrupsion, për tendera që ju ka marrë njerëzve të Gjilanit, e çka s’ka ba more ai. Çka nuk ka ba ai”, thoshte Zeka.

Kujtojmë që ditë më parë është ngritur aktakuzë ndaj, Zekës dhe ish-partnerit të tij Ilir Krasniqit. Ata dyshohen se kanë mashtruar 920 kosovarë me viza punë. Ata dyshohet se iu kishin premtuar kosovarëve viza pune në Gjermani, teksa në vend të vizave ata ishin bërë pjesë e mashtrimit./Insajderi.com