Jakup Krasniqi kritikon disa politikanë për gjuhën e komunikimit

Jakup Krasniqi kritikon disa politikanë për gjuhën e komunikimit

Ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka kritikuar fjalorin e përdorur nga politikanët e vendit, duke thënë se debati politik duhet të bëhet mbi bazë të argumenteve dhe se mendimi uniformë nuk është i dobishëm në asnjë aspekt.

“Kur të bërit e të marrurit me politikë ka vetëm përfitimin e parasë publike, por jo qëllimin e shërbimit të publikut, krijimin e shtetit të së drejtës, shtetit që krijon vende pune, shtetin e drejtësisë sociale, shtetin me arsim të avancuar e shëndetësi publike, politikës i mbetet vetëm një qëllim: mashtrimi i votuesve për t’ia marrë vetëm votën. Kjo është evidente të të gjithë ‘politikëbërësit’ tanë?! E veçmas ata që janë në krye të piramidës politike!”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, në situata të tilla, intelektualët e mbetur jashtë politikës, njerëzit e arsimit, të dijës e të edukimit me mediumet oponente që kanë qellim krijimin e opinionit publik, duhet t’i orientojnë e edukojnë qytetarët me kulturën e mirëfilltë kombëtare dhe dialogun me kulturë e edukatë që po i mungon shumë kohës sonë, mbase jo vetëm politikës.

“Ndërprerja e komunikimit të degraduar në shoqërinë tonë, do t’i jepte një fillim të ri vendit e kombit tonë! Te kundërshtohemi, të polemizojmë ndonjëherë dhe ashpër, por ama me fakte e argumente, se mendimi uniformë nuk na duhet në asnjë segment të jetës! A mundemi? Kam besim e shpresë se mundemi, por jo kështu si ecëm deri tani në vitet e çlirimit e të pavarësisë. Na duhet një fillim i ri komunikimi në politikën shqiptare përgjithësisht!”, ka thënë Krasniqi.