Jahjaga flet pas raportimeve se është divorcuar nga burri i saj

Jahjaga flet pas raportimeve se është divorcuar nga burri i saj

Për pesë vite shërbeu si e para e vendit.

Atifete Jahjaga shkroi historinë duke u bërë e para grua në pozitën e Presidentes në Kosovë dhe gjithë Evropën Juglindore.

E përkundër që ka mbaruar mandatin tash e dy vite, ish-presidentja po vazhdon të jetë aktive me aktivitete, pjesëmarrje në konferenca në gjithë botën.

Në një intervistë për Klan Kosovën ajo ka thënë se për të gjithmonë ka qenë synim kryesor që ta përfaqësoj Kosovën sa më mirë brenda dhe jashtë vendit.

“Si presidente i kam përfaqësuar gratë e vajzat e reja të vendit tonë. Asnjëherë nuk e kam fsheh se jam feministe, nuk e kam kursyer vetën asnjëherë dhe do të luftoj për të drejtat e grave dhe të rinjve. jam munduar që të ndaj aspektin e dukjes nga aspekti i paraqitjeve dhe qëndrimeve politike, por shpeshherë puna dhe vendimet e mia e paraqitjet e mia, kanë rënë nën hije me disa komente të pakuptimta për dukjen e jashtme, si çanta, flokët apo grimi. këto nuk duhet të jenë tema të diskutimit. Jam munduar që gjithmonë të përzgjedh gjëra që kanë promovuar edhe pozitën e presidentes. Jam munduar të promovoj artistet e dizajnerët e Kosovës”, ka thënë Jahjaga.

Tutje, ajo foli edhe për jetën e saj pas përfundimit të mandatit të presidentes.

Për herë të parë, ish-presidentja foli edhe për thashethemet e fundit se ajo është divorcuar.

Ndonëse nuk dha shumë detaje, tha se thashethemet e tilla vetëm se e kanë forcuar më shumë.

“Edhe pas mandatit, unë do të jem e angazhuar që të punoj në interes të vendit tim. Secila shoqëri e ka një dozë të caktuar të thashethemeve apo paragjykimeve. Por, edhe këto kanë një kufi. Për mua asnjëherë nuk kanë ndikuar në punën dhe angazhimin, në fakt më kanë fuqizuar edhe më shumë që të kontribuoj që vajzave të reja të mos u lëmë trashëgimi sfidat me të cilat u përballem ne”, tha Jahjaga.