“UP-ja do të iniciojë padi për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe”

“UP-ja do të iniciojë padi për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe”

Në lidhje me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, me të cilin kishën ortodokse në kampusin universitar të Kosovës i kalojnë 4 hektarë përreth objektit ilegal të viteve ’90-a, ka reaguar edhe Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës.

Në një njoftim për media, thuhet se Këshilli Drejtues dhe Parlamenti Studentor është thellësisht i përkushtuar që të përmbushë gjithë hapat ligjor për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe në mënyrë të kundërligjshme në pronësi dhe në shërbim të studentëve të UP-së.

“Keqinterpretimi i javës së fundit se ‘UP-ja ka hequr dorë nga beteja ligjore për pronën që ka uzurpuar Kisha Ortodokse’ nuk qëndron. Njoftojmë opinionin se bazuar në legjislacionin aktual Aktvendimi i Gjykatës Themelore C.nr 2444/12, është i natyrës procedurale, e jo një vendim meritor/përfundimtar ndërlidhur me Kërkesën e UP-së për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe”, thuhet në njoftimin e Këshillit Drejtues, e nënshkruar nga kryesuesi Prof. dr. Ismet Salihu.

“Në këtë situatë juridike, UP-ja sipas Ligjit do të iniciojë padi për kthimin e pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse Serbe. Këshilli Drejtues ka formuar një Grup te Veçantë Punues i ngarkuar me detyrë që duke siguruar mbështetjen e institucioneve ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore deri në kthimin përfundimtar të kësaj prone në shfrytëzim të studentëve të tij”, thuhet më tej në këtë njoftim.

Në ndërkohë, Këshilli Drejtues kërkon nga Kuvendi Komunal i Prishtinës që në suaza të legjislacionit pronësor dhe procedurave të veta të vendimmarrjes të revokoj Vendimin e ish-Këshillit Ekzekutiv të KK-së Prishtinës Nr. 110-74/90-02 i datës 26.09.1990 me të cilin në mënyrë të kundërligjshem ka dhënë në shfrytëzim tokën për ndërtimin e ndërtesës së Kishës Ortodokse. Prona kontestuese e dhënë Kishës Ortodokse e që në vazhdimësi është kontestuar nga UP-ja, është pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa UP-ja është shfrytëzuese e saj.

“Shfuqizimi i Vendimit do ta lehtësonte jashtëzakonisht shumë problemin ligjor dhe rikthimin e pronës në shfrytëzim për nevojat emergjente të UP-së, për hapësira dhe infrastrukturë”.