UP-ja nxjerr dokumente rreth kontestit me Kishën Ortodokse në oborrin e saj

UP-ja nxjerr dokumente rreth kontestit me Kishën Ortodokse në oborrin e saj

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përmes një komunikate për media, e sheh të domosdoshme që të sqarojë për opinionin publik vërtetësinë e kontestit me Kishën Ortodokse e cila gjendet në Kampusin e UP-së, ngjarje e aktualizuar  në media pas vendimit Gjykatës së Apelit me datë 27 shtator 2017, me të cilin ka hedhur poshtë ankesën e UP-së për kthim në gjendjen e mëparshme të pronës së uzurpuar nga Kisha Ortodokse.

“Universiteti i Prishtinës në vitin 2012 ka ngritur padi për kthim të kësaj prone në shfrytëzim të Universitetit dhe studentëve të tij, për çka edhe ka qenë e dedikuar fillimisht. Mirëpo, në seancën përgatitore përfaqësuesi i UP-së nuk ka mund  të marrë pjesë për shkak se (ashtu siç jemi deklaruar edhe për media në të gjitha qëndrimet me komunikata dhe në konferencën e thirrur) kur është pranuar ftesa përmes postës, në Rektorat gjatë atyre ditëve kishte protesta dhe si rrjedhojë ftesa ka ngelë pa iu përcjellë me kohë zyrës ligjore”, thuhet në sqarimin e UP-së.

“Gjykata themelore me 26.11.2015 (i bashkangjitur dokumenti) ka nxjerrë aktvendim duke konsideruar si të tërhequr padinë e UP-së. Përmes zyrës ligjore, UP menjëherë ka bërë kërkesë (e bashkangjitur kërkesa) që çështja të kthehet në gjendjen e mëparshme, d.m.th. në gjendjen para se të nxjerrët aktvendimi i datës 26.11.2015, mirëpo kjo kërkesë nga e njëjta Gjykatë është hedhë poshtë me aktvendim të dt. 18.1.2016 (i bashkangjitur dokumenti). Njëjtë si Gjykata Themelore ka vepruar edhe Gjykata e Apelit, e cila në seancën e dt. 27.9.2017 (i bashkangjitur dokumenti) ka nxjerrë Aktvendim duke refuzuar si të pabazuar ankesën e përfaqësuesit të UP-së”, thuhet tutje aty.

Lidhur me këtë, menaxhmenti aktual i UP-së thotë se nuk ka qenë në drejtim të këtij institucioni në periudhën kur është marrë ky vendim, respektivisht me datë 26/11/2015, duke thënë se në krye të këtij institucioni erdhën më 1 prill 2016.

“Përkundër kësaj, theksojmë që ky Menaxhment është fuqishëm i vendosur që të rikthejë në duart e këtij institucioni, gjegjësisht të studentëve dhe profesorëve të tij, atë që është e tyre. Si rrjedhojë, ne garantojmë që do të ndiqen rrugët ligjore të cilat do të mundësojnë rikthimin në pronësi të Universitetit të Prishtinës pronën e tij, që në rrethanat e lartpërmendura ka kaluar në pronësi të Kishës Ortodokse e cila gjendet në Kampusin e UP-së”, vazhdon komunikata.

Menaxhmenti i UP-së thotë se nuk ka hequr dorë nga prona e tij, përkundër përpjekjeve të shumta të disa personave apo grupeve të interesit që ta paraqesin si të tillë menaxhmentin aktual.

“Rrjedhimisht, edhe Këshilli Drejtues i Universitetit te Prishtinës në mbledhjen e fundit ka formuar një Grup të Veçantë Punues i ngarkuar me detyrë që duke siguruar mbështetjen e institucioneve, ta ndjek këtë çështje në rrugë ligjore deri në kthimin përfundimtar të kësaj prone në shfrytëzim të studentëve të tij”, përfundon sqarimi i UP-së./Insajderi.com