BE-ja me kritika për ngecjen e reformave, Qeveria premton masa urgjente

26.11.2017 10:17
BE-ja me kritika për ngecjen e reformave, Qeveria premton masa urgjente

Qeveria e Maqedonisë thotë se po punon intensivisht për përmbushjen e reformave të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare pa komentuar një raport të Komisionit Evropian me kritikat e para drejtueseve të ekzekutivit të ri për reforma të ngadalësuara. Në raportin që i është dërguar misionit të Maqedonisë në Bruksel thuhet se Qeveria e re po harxhon shumë kohë në marrëdhëniet me opinionin në vend se t’u përkushtohet reformave.

Komisioni Evropian kërkon rezultate konkrete për reformimit të policisë sekrete, miratimin e ligjeve për Gjyqësorin, por edhe në media dhe sfera tjera.

Zv.kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, beson se Qeveria deri në fund të vitit do të arrijë t’i përmbushë reformat me prioritet, që të mund në fund të muajit shkurt apo fillim të marsit të vitit të ardhshëm, të marrë raport pozitiv nga Komisioni Evropian.

“Ciklin e ardhshëm gjashtë javor, gjashtë mujor dhe një vjeçar, ne e kemi ndarë në periudha të ndryshme, që të mund t’i realizojmë reformat, p.sh. në gjashtë javët e ardhshme ne duhet të përcaktojmë strategjitë apo formën e reformës. Në koordinim me Komisionin Evropian, jemi marrë vesh se çfarë duhet të kalojë në Kuvend brenda kësaj periudhe. Nga janari e tutje janë përcaktuar datat e sakta se kur do të miratohet cili ligj për cilën pjesë të reformës në pjesën e shërbimeve të inteligjencës”, deklaron Osmani.

Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria duhet të punojë shumë më tepër për zbatimin e reformave, pasi këtë, përveç se obligim para bashkësisë ndërkombëtare si kritere në procesin e integrimit, e ka edhe para qytetarëve.

Por, sipas Sinanit, reformat duhet të bëhen me ekspertë dhe jo me personalitete politike të dështuara, në veçanti nga periudha e kaluar.

“Verdikti i qytetarëve ishte i atillë që Maqedonia të ndryshojë mënyrën e qasjes ndaj vetvetes, raporteve brenda d.m.th. maqedonasve dhe shqiptarëve, por edhe raporteve me fqinjët dhe faktorin ndërkombëtar. Do të ketë aq reforma sa Qeveria do të jetë e interesuar që marrëveshjen që e ka me qytetarët, të nisin ta jetësojnë jo njerëz që janë të profilizuar si personalitete të politikës, por ekspertë të cilët i duhen shoqërisë për t’i bërë këto reforma”, thotë Sinani.

Sa i përket nevojës për mbështetje në miratimin e reformave edhe nga VMRO DPMNE-ja opozitare, pasi shumë ligje duhet të miratohen me dy të tretat e votave, e të cilat nuk i ka shumica e tanishme parlamentare, ai nuk beson se VMRO-ja me në krye Nikolla Gruevskin, do t’i japë mbështetje miratimit të tyre.

“Nuk mendoj se do të kenë mbështetjen e VMRO-së derisa në krye të kësaj partie është Nikolla Gruevski, e cila e solli Maqedoninë në këtë gjendje. Nëse VMRO-ja i bllokon këto procese, ajo vlerësoj se do të shkojë drejt një procesi të copëtimit të saj si parti dhe të humbjes së peshës së saj si parti politike”, vlerëson Sinani.

Por, disa ekspertë janë optimistë se megjithatë gjërat mund të lëvizin para, por me një dinamikë më të ngadaltë. Simonida Kacarska nga Instituti për Çështje Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri në fund të vitit mund të miratohet strategjia për reforma në sistemin e drejtësisë dhe në administratën publike, por miratimi i ligjeve do edhe shumë më tepër kohë.

“Nëse flasim për deri në fund të vitit, përveç miratimit të strategjisë në këto fusha, nuk mund të bëhet më shumë pasi deri në fund të vitit ka edhe pak më shumë se një muaj. Ligjet që do të jenë pjesë e strategjisë, nuk do të mund të miratohen. Do të ishte ideale sikur strategjia për reforma në administratën publike të miratohet në muajt e ardhshëm”, thotë Kacarska.

Përshpejtimi i reformave ishte kërkuar edhe nga komisionari për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, gjatë vizitës të hënën dhe të martën në Maqedoni.