Izraeliti kapet në Rinas me një “pajisje përgjimi”, nisin hetimet

Izraeliti kapet në Rinas me një “pajisje përgjimi”, nisin hetimet

Një shtetas izraelit është ndaluar në pikën e kalimit kufitar në aeroportin “Nënë Tereza” (Rinas)  teksa përpiqej të largohej nga Tirana me një pajisje elektronike të dyshimtë, të cilën prokuroria e ka sekuestruar.

Disa media raportuan se bëhet fjalë për një pajisje përgjimi, por që mbetet akoma për t’u verifikuar nëse është e vërtetë.

Policia ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë rast. Sipas policisë, shtetasi i ndaluar është Yoram Frig, i cili kishte me vete një pajisje elektronike që dedekton përgjuesit, njofton Gazeta-Shqip.

51-vjeçari është ndaluar nga shërbimet e policisë kufitare Rinas, në momentin që ishte duke dalë nga territori i Shqipërisë dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë të Rinasit.

“Nisur nga informacione të marra, për hyrjen e shtetasit (të huaj) Izraelit, F.Y, 51 vjeç, në pikën e kalimit kufitar Rinas, me një pajisje elektronike, Sektori për Krimin Ekonomiko-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, filloi veprimet verifikuese dhe procedurale në bashkëpunim me Njësinë e Prokurorisë Task-Forcë, pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm”, – bën të ditur njoftimi i policisë.

Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e policisë kufitare Rinas, në momentin që ishte duke dalë nga territori i Shqipërisë dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë, Rinas.

Pas mbajtjes së personit në ambientet e Komisariatit Rinas, në drejtimin e Prokurorit, u bë këqyrja e kësaj aparature elektronike dhe pritet akt ekspertimi, për te përcaktuar se çfarë funksion kryen, njëkohësisht iu konstatua edhe një aparat telefonik i markës “IPHONE”.

“Këto sende u sekuestruan në cilësinë e provës materiale me urdhër të prokurorit të gatshëm. Ky shtetas është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Tiranë, ku në prezencën e një përkthyesi ligjor po intervistohet nga prokurori i çështjes”, – bën me dije policia.