Izetbegoviq i frikësohet kërcnimit të Vuçiqit, e tërheqë “njohjen” për Kosovën

Izetbegoviq i frikësohet kërcnimit të Vuçiqit, e tërheqë “njohjen” për Kosovën

Pas reagimeve të shumta ndaj intervistës së anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Baki Izetbegoviq për Deutsche Welle, ka ardhur edhe njoftimi nga kabineti i Izetbegoviqit, ku thuhet se agjencia serbe e lajmeve Tanjug e ka plasuar lajmin e rrejshëm për atë se Izetbegoviq ka thënë se Bosnja do ta njoh Kosovën.

“Pjesë të intervistës që anëtari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq i ka dhënë Deutsche Welle-s, agjencia e lajmeve Tanjug i ka plasuar të pasakta, jashtë kontekstit dhe në mënyrë tendencioze, duke e shtrembëruar vetëm thelbin e deklaratës”, thuhet në njoftim e kabinetit të Izetbegoviqit.

Një informacion i tillë, sipas kabinetit të Izetbegoviqit ka shkaktuar seri të reagimeve të pamatura dhe të paragjykuara.

Sipas kabinetit të Izetbegoviqit, informacioni që e ka publikuar Tanjug nuk i përgjigjet të vërtetës dhe se shumë lehtë mund të vërtetohet në video-intervistën që publiku mund të shoh.

“Në vend që ta përmirësojnë lajmin e rremë që e kanë plasuar, nga Tanjug-u po vazhdojnë të dalin lajme që po e hutojnë opinionin, duke plasuar të pavërteta tjera. Me këtë është e qartë se Tanjug nuk e ka bërë këtë rastësisht, por pas të gjitha këtyre qëndron qëllimi për rrënimin e raporteve ndërmjet Bosnjës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim.

Ky njoftim pason deklaratat e ashpra dhe kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në drejtim të Bosnjës dhe vet Izetbegoviqit.