Ivanovic: Kam shumë miq në mesin e shqiptarëve

Ivanovic: Kam shumë miq në mesin e shqiptarëve

Lideri i Iniciativës Qytetare Oliver Ivanoviq, u shpreh se incidenti i djegies së automjetit të tij që ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit, është i motivuar politikisht.

Ivanoviq ka hedhur akuza të ashpra ndaj Policisë dhe faktorëve tjerë relevant të sigurisë, duke thënë se nuk ka besim fare tek Policia e Kosovës.

Sipas tij, Policia e Kosovës asnjë rast të vetëm të kësaj natyre nuk ka arritur ta zgjidhë deri tani, ndërsa ka përjashtuar mundësinë që autori ose autorët e këtij incidenti të jenë shqiptarë.

Ivanoviq tha se  nëse edhe EULEX-i nuk arrin  të ndriçojë rastin, atëherë do të ikin nga këtu, sepse është mision shumë i shtrenjtë që po iu kushton qytetarëve të Evropës.

“Unë nuk merrem me ndonjë biznes, as legal dhe aq më tepër ilegal. Nuk kam asnjë armik personal. Nga procesi kam dalë si njeri që ka fituar shumë miq, jam vërtetuar se kam shumë miq në mesin e shqiptarëve… Andaj, nga kjo mund të nxjerrim vetëm një përfundim, se ky akt mund të jetë i motivuar politikisht. Kam njerëz me të cilët nuk mendoj njëjtë dhe mendimet, si dhe qëndrimet e mia i them publikisht. Me gjasë, jo gjithkujt i konvenon ajo që unë flas… Dy ditë më herët i është djegur vetura e Dragisha Milloviqit, ndërsa ai do të jetë kandidati ynë në Zveçan. Prandaj, unë mund të përfundoj se bëhet fjalë për dikë i cili dëshiron të na eliminojë nga gara politike, sepse zgjedhjet janë paralajmëruar me datën 22 tetor”, tha Ivanoviq.

Në lidhje me raportet e tij me përfaqësuesit e Listës Serbe, Ivanoviq nuk përjashtoi mundësinë se këta të fundit mund ta shohin atë si armik, por ky ata jo, në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë.

Ai theksoi se është për keqardhje që edhe pas 18 vitesh pas luftës, situata e sigurisë në veri të jetë e brishtë dhe qytetarët të mos ndjehen të sigurt, njofton rtklive.

“Unë përfaqësuesit e Listës serbe nuk i shoh si armiq, ndoshta ata mua po, por unë ata jo. Mund të mos pajtohemi për disa gjëra, nuk jam i kënaqur me pamjen e qytetit, do të kisha dëshirë që qyteti të dukej shumë më mirë dhe më i rregulluar. Do të jetë pika numër një çështja e sigurisë, sepse kjo që më ka ndodhur mua, si dhe doktorit të respektuar dy ditë më parë në Zveçan, mund t’i ndodhë çdokujt”, ka thënë ai.

“Prandaj, në kushte të tilla ne nuk mund t’i rrisim fëmijët tanë. Këtë do të duhej ta zgjidhte Policia e Kosovës, por unë nuk jam i sigurt se ata janë mjaftueshëm profesionalë dhe as që kanë vullnetin ta zgjidhin këtë incident. Nëse këtë nuk e zgjidhë policia e Kosovës, atëherë duhet ta zgjidhë EULEX-i, dhe nëse as kjo e fundit nuk e zgjidhë, atëherë duhet të shkoj, sepse është mision shumë i shtrenjtë të cilin e paguajnë qytetarët evropianë”, ka shtuar ai.

“Nëse edhe EULEX-i nuk dëshiron ta zgjidhë këtë, atëherë duhet që KFOR-i ta bëjë një punë të tillë”.