Ivanka Trump, zyrë në Shtëpinë e Bardhë

21.03.2017 09:46
Ivanka Trump, zyrë në Shtëpinë e Bardhë

Vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka do të ketë një zyrë në Shtëpinë e Bardhë.

Lajmin e ka bërë të ditur një burim pranë administratës, i cili ka saktësuar se vajza nuk do të ketë një titull zyrtar dhe asnjë rrogë përgjatë kohës që do të punojë në atë që njihet si Krahu Perëndimor.

Burimi konfirmoi gjithashtu të dhënat e publikuara më herët në media se 35-vjeçarja do të ketë akses në informacione të klasifikuara.

Roli i saj do të jetë t’i shërbejë Donald Trump, të jetë sytë dhe veshët e tij, si dhe t’i ofrojë këshillat e saj, është cituar avokati i vajzës nga “Politico”.

Ivanka, që njëkohësisht ka edhe një linjë të sajën të modës, do t’i bashkohet kështu bashkëshortit të saj Jared Kushner, që është këshilltar i presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Influenca që mund të ketë çifti tek kryetari i shtetit më të fuqishëm në botë ka ngritur pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi. Gjithashtu çështja ka shkaktuar debate për përfitime të mundshme të bizneseve të Trump gjatë presidencës së tij.

Që kur miliarderi njujorkez mori detyrën në janar, Ivanka është parë të jetë e pranishme në takimet e të atit me liderët botërorë, përfshirë kryeministrin kanadez Justin Trudeau, kancelaren gjermane Merkel, kryeministrin japonez Shinzo Abe, etj.