Italiani që mban në shtëpi fanellat e 211 kombëtareve, përfshirë të Kosovës

Italiani që mban në shtëpi fanellat e 211 kombëtareve, përfshirë të Kosovës

Simone Panizzi ka një hobi të veçantë: koleksionimin e fanellave të kombëtareve të njohura nga FIFA. Italiani që jeton në Livorno ka mbledhur fanellat origjinale – ato që janë përdorur në fushën e lojës nga futbollistët – të 211 kombëtareve të futbollit anembanë botës.

Nga Çadi tek Uruguaji, nga Kosova tek Gjibraltari. Jo vetëm fanellat e këtyre kombëtareve, por edhe shumë të tjera ruhen me fanatizëm nga 34-vjeçari Simone Panizzi, shkruan Il Tirreno, njofton Insajderi.

Panizzi tregon se para një viti e gjysmë kishte siguruar edhe një fanellë origjinale të kombëtares së Kosovës, pasi që Kosova u pranua në FIFA.

“Më përpara kisha vetëm 209 fanella, të të gjitha kombëtareve të njohura nga FIFA. Pastaj, një vit e gjysmë më parë, Kosova dhe Gjibraltari hynë në FIFA gjithashtu, dhe i shtova edhe ato. Në fakt, unë kam shumë më tepër se 211 fanella. Gjëja e rëndësishme është se ato janë të gjitha origjinale”, rrëfen Panizzi.

Panizzi tregon për t’i mbledhur të gjitha këto fanella nuk ka qenë e lehtë. Megjithatë, thotë se fanellat i ka marrë nga federatat përkatëse, e nga futbollistë që kanë luajtur në fushë, shkruan Insajderi.

34-vjeçari tregon se disa fanella ia ka dhuruar mbrojtësi i Italisë, Giorgio Chiellini.

“Kryesisht falë rrjeteve sociale [kam kontaktuar me futbollistët]. Për shembull unë e njoh Giorgio Chiellinin dhe përveç fanellës së tij, më ka dhuruar edhe fanellat e Republikës Çeke, Meksikës, Haitit dhe Armenisë. Të gjitha janë fanella që shkëmbehen mes futbollistëve në fund të lojës”, thotë Panizzi.

Italiani i pasionuar pas fanellave të kombëtareve të futbollit tha se misioni i tij i radhës është mbledhja e modeleve të reja të fanellave. /Insajderi.com