Italia dhe nderimi i fashizmit

Edhe më tepër se 70 vjet pas vdekjes së tij, Mussolini ka shumë ithtarë dhe adhurohet në Itali. Portrete të tij ose simbole të fashistëve i sheh pak a shumë hapur në etiketa shishesh vere, bluza ose ose si buste.

Italia dhe nderimi i fashizmit

Predappio është zakonisht një vend i qetë, me më pak se 6,000 banorë. E vetmja gjë e veçantë e këtij qyteti rreth katër orë larg me makinë prej Romës, është se aty ka ka lindur diktatori italian Benito Mussolini, apo si njihet më tepër “Duçja”. Në Predappio gjendet gjithashtu edhe “Muzeu i Musolinit”, ku mund të gjesh thesare të vërteta të kohës së fashizmit.

Në tri ditë të vitit Predappio kthehet në vend të vërtetë pelegrinazhi të ithtarëve të fashizimit – ditën e lindjes së Mussolinit, të vdekjes së tij dhe të “Marshimit në Romë”. Kushdo që dëshiron mund të blejë në dyqanet e dhuratave dhe suvenireve  portrete ose buste të tij, apo objekte me simbole të fashistëve. p.sh. bluza apo shishe vere me etiketa me simbole fashiste. Dhe autoritetet e lejojnë këtë lloj tregtie.

Plot ithtarë

Në vendlindjen e Musolinit, Predappio,  mbahen po ashtu gjatë tri festave të mëdha fashiste edhe mesha. Dhe nuk janë vetëm njerëzit e moshuar që admirojnë Duçen. Faqja e Facebook-ut “I Giovani Fascisti Italiani” – Fashistët e rinj italianë – u pëlqen dhjetëra-mijëra vetëve! Në të mistifikohet historia e lavdishme dhe shprehet përbuzje e thellë për politikën italiane sot.

Edhe përshëndetja fashiste, me krahun e djathtë të ngritur lart, shihet vazhdimisht gjatë ndeshjeve në stadiumet e futbollit. Por tani glorifikimi i fashizmit pritet të ndalohet me ligj.

Për këtë arsye ajo që bashkon shumicën e njerëzve që marrin pjesë në ceremonitë fashiste në Predappio nuk është thjesht mendësia – për shembull refuzimi i demokracisë, i liberalizmit dhe i politikës aktuale italiane. Ata duan tani edhe që të arrijnë ta ndalojnë miratimin e ligjit kundër fashizmit.

Ligj pa shumë efekt

Që në vitin 1952 në Itali është miratuar një ligj që shpallte glorifikimin e fashizmit si vepër penale. Por duket shumë e qartë, se ky ligj nuk ka shumë efekt. Prandaj, eurodeputeti socialist Emanuele Fiano ka propozuar tani një ligj të ri, më të rreptë.

Parlamenti tashmë e ka miratuar projektligjin, për të cilin “Forza Italia” e Berlusconit, “Lega Nord” dhe “Lëvizja Pesë Yje” votuan kundër. Tani ligji i Emanuele Fianos duhet të kalojë përmes Senatit, por koha nuk pret, sepse periudha legjislative është duke përfunduar.

Ligji i ri kundër veprimtarive fashiste lidhet për Emanuele Fianon edhe me motive  personale. Familja e tij hebreje u persekutua në Italinë e Musolinit. “Unë mendoj se historia ime familjare më ka sensibilizuar në mënyrë të veçantë dhe më shumë se të tjerët. Fashistët italianë i arrestuan paraardhësit e mi dhe ua dorëzuan ata nazistëve gjermanë. Dhjetë anëtarë të familjes sime vdiqën dhe u dogjën në Auschwitz!” – thotë Emanuele Fiano.

Tani fjalën e ka senati në Romë

Nëse ligji kalon edhe në Senatit atëherë kush përshëndet në publik në mënyrë fashiste – sikurse ndodh shpesh në stadiumet e futbollit – ose prodhon dhe tregton dhurata me motive përkatëse, mund të dënohet me burg nga gjashtë muaj deri në dy vjet.

Nëse dikush përhap propagandë fashiste në internet ose në media, gjyqtarët mund t’i rrisin dënimet me një të tretën e tyre.

Edhe kryebashkiaku i Predappios, Giorgio Frassineti shpreson që ligji antifashist do të miratohet edhe nga Senati. “Meqë në Itali nuk ka pothuajse asnjë rishikim kritik të historisë, shumë gjëra mbeten të fshehta dhe dalin herë pas herë në sipërfaqe” – thotë ai. /DW.