Isufi: Kufiri është në Zhlep dhe Çakorr

26.07.2016 08:52
Isufi: Kufiri është në Zhlep dhe Çakorr

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, ka thënë të hënën se Qeveria duhet të tërhiqet dhe ta dëgjojë zërin e ekspertëve sa i përket çështjes së demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi.

Në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se deputetët nuk duhet të bien në lajthitje dhe nuk duhet të lejojnë të mashtrohen.

“Do të këmbëngulim deri në fund që përcaktimi i vijës kufitare të jetë në bazë të dokumenteve relevante dhe nuk do të pranojmë asnjë variant tjetër. Komisioni qeveritar për demarkacion ka gabuar, kurse Qeveria është vënë në lajthitje dhe duhet të tërhiqet në mënyrë që të vendoset vija kufitare në Kullë të Zhlepit dhe në Çakorr. Shumë shtete kanë pasur probleme me procesin e demarkacionit, pra Kosova nuk është rasti i vetëm. Përderisa ka dallime sa i përket çështjes së demarkacionit, Qeveria duhet të tërhiqet dhe ta dëgjojë zërin e ekspertëve”, ka deklaruar Isufi.

Ai ka shprehur optimizëm se tryeza për demarkacionin që do të mbahet javën e ardhshme do ta nxjerrë në shesh të vërtetën mbi kufirin e Kosovës me Malin e Zi. Isufi ka thënë se të gjithë ata që kanë manipuluar deri më tani me procesin e demarkacionit do të dështojnë në këtë tryezë.

“Zhvillimet aktuale janë duke e dëmtuar interesin dhe imazhin e Kosovës, sidomos marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi dhe ajo për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Prandaj nga tryeza për demarkacionin presim të argumentohet e vërteta mbi territorin e Kosovës, i cili është i pacenueshëm edhe në bazë të Kushtetutës. Ekspertët eminentë do të tregojnë se pikat kufitare Kulla e Zhlepit dhe Çakorri janë të padiskutueshme në bazë të hartave dhe dokumentacionit”, ka theksuar Isufi.

Sipas tij, loja me forma të ndryshme të ratifikimit të marrëveshjes apo dërgimi i demarkacionit në arbitrazh është manipulim me opinionin.

“Duhet të shteret debati i ekspertëve lidhur me demarkacionin në mënyrë që të vërtetohet se ku është kufiri. Loja me forma të ndryshme të ratifikimit të marrëveshjes apo dërgimi në arbitrazh është manipulim me opinionin. Populli i Kosovës duhet ta shohë se cila është e vërteta mbi kufirin e Kosovës me Malin e Zi. Qeveria duhet të mbledhë mend dhe ta shohë se e vetmja mënyrë e vënies së demarkacionit është në bazë të ekspertëve të cilët e njohin këtë çështje”, është shprehur Isufi.