Bie forca e terroristëve të ISIS

23.08.2017 15:24
Bie forca e terroristëve të ISIS

Terrori po vret, por më pak se përpara. Studimet e krahasuara të atentateve në Europë, duke nisur nga ai i Bataklanit e deri tek i fundit në Barcelonë, tregojnë një rënie të veprimtarisë së ISIS-it, që tani godet më rrallë dhe në mënyrë më të çorientuar, edhe pse sulmet e tij mbeten vdekjeprurëse.

“Shteti Islamik vazhdon të bëjë keq – vërejnë ekspertët, – megjithatë fuqia e tij goditëse është tkurrur”.

Pjesë të mëdha të kontakteve me kalifatin, ose të paktën atë që ka mbetur prej tij, janë ndërprerë dhe celulat europiane nuk janë më pjesë e stërvitjeve në terren. Për rrjedhojë, atenatet, me përjashtim të atij të Nicës, kanë prodhuar që prej atëherë një numër të kufizuar viktimash për shkak të diletantizmit të terroristëve.

Falë një modeli interpretues të mbështetur mbi 5 tregues – numrin e agresorëve, sulmet e njëkohësishme dhe të koordinuara, armët e përdorura, viktimat dhe kohën e kaluar nga një goditje te tjetra, – studiuesit pretendojnë se terrorizmi i ISIS-it në Europë është në vështirësi të mëdha e mbase edhe në rënie.

Ata, sigurisht nuk parashikojnë dot që episode dhune si ai i Parisit nuk do të ndodhin më kurrë në të ardhmen, por analizimi i ngjarjeve të fundit i çon drejt përfundimit se kapaciteti operativ i terroristëve në qytetet europiane është reduktuar ndjeshëm.

Mungesën e eksperiencës dhe trajnimit e dëshmon edhe arma e preferuar e sulmeve të fundit, makinat dhe kamionët, që u kanë zënë vendin automatikëve dhe eksplozivëve. Celulat tani më së shumti përbëhen nga të rinj amatorë dhe lehtësisht të manipulueshëm, gjë që shihet deri diku me lehtësim nga ekspertët, që preferojnë më mirë një grup ekstremistësh të improvizuar, sesa një terrorist të vetëm të stërvitur mirë.

/ Top Channel