“Ishte veç një teatër i kukullave” – Opozita reagon ndaj raportit të komisionit për matjen e territorit

“Ishte veç një teatër i kukullave” – Opozita reagon ndaj raportit të komisionit për matjen e territorit

Opozita kundërshton rezultatet e Komisionit për matjen e territorit të Kosovës. Të tre partitë opozitare e kanë quajtur të pavlefshëm draft-raportin e paraqitur sot nga Komisioni për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës.

Këtë komision, partitë opozitare e kanë quajtur “të porositur.”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se imponimi me dhunë i ratifikimit të demarkacionit vetëm sa do ta thelloj krizën politike dhe pakënaqësitë e qytetarëve.

“Imponimi me dhunë i kësaj Marrëveshje për demarkacion vetëm sa e thellon krizën politike dhe e rrit pakënaqësinë e qytetarëve. Mënyra se si po sillet Qeveria nuk ka të bëjë fare me demokracinë, që funksionon me bindje, por me autokracinë kriminale, e cila funksionon me forcë”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.

Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se të gjeturat për matjen e territorit që u bënë sot nga komisioni, ka thënë se është një Komision i porositur dhe se të gjeturat e tyre janë zero.

“Ky komision artificial e vërtetoi se është një komision i porositur dhe me as një efekt në ndryshimin e mundshëm të qëndrimit publik dhe politik, madje as te vetë partitë e koalicionit, deputetët e të cilit tashmë po e rikonfirmojnë se të gjeturat e tyre janë zero”, ka thënë Haradinaj.

Sipas Haradinaj “komisioni ishte veç një teatër i kukullave për të mbuluar dështimet dhe izolimin e vazhdueshëm të qytetarëve për shkak të mospunës dhe inkurajimit që vetë ia kanë bërë që demarkacioni të jetë kusht për viza”.

Po ashtu edhe shefja e grupit parlamentar Nisma, Valdete Bajrami në një bisedë për Insajderin ka thënë se ky komision vetëm i’a ka bërë qefin kryeministrit Isa Mustafa.

“Mustafa, jo që reflektoi pas publikimit të fakteve nga ekspertët, por nga inati i madh është verbuar totalisht dhe e krijoi ‘komisionin’ i cili do t’ia bënte vetëm atij qejfin”, ka thënë Mustafa.

Komisioni për matjen e territorit të Kosovës sot ka dalur me rezultat lidhur me matjet e territorit të Kosovës.

Ky komision konstatoi se Kosova momentalisht ka territor 10.905.25 km katrorë dhe se nuk ka humbur territor me Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. /Insajderi.com