Ish-zv/kryeministri i Kosovës akuzohet se shkon në veri vetëm kur vdes dikush

Ish-zv/kryeministri i Kosovës akuzohet se shkon në veri vetëm kur vdes dikush

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës nga komuniteti serb, Sllobodan Petroviq është përmendur në një përgjim telefonik mes një lideri serb nga Beogradi dhe një asamblisti komunal të Mitrovicës Veriore, të publikuar sot nga Insajderi.

Nikola Sanduloviq, kryetar i Partisë Republikane, në këtë përgjim telefonik të siguruar nga Insajderi, flet me një asamblist komunal të Mitrovicës Veriore – identiteti i të cilit nuk është zbuluar për shkaqe sigurie.

Biseda është zhvilluar ditën e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Në këtë bisedë ku thuhet se “shqiptarët nuk e kanë vrarë Oliver Ivanoviqin”, asamblisti nga Mitrovica e Veriut akuzon ish-zëvendëskryeministrin e Kosovës, Sllobodan Petroviq se shkon në veri të Kosovës vetëm kur vritet ndonjë zyrtar serb.

Ai thotë se Petroviqin, kryetarin e Partisë së Pavarur Liberale në Kosovë, e ka parë në Mitrovicë të Veriut pas vrasjes së Ivanoviqit, por se nuk e kishte parë për shumë vite me radhë.

Përgjimi telefonik i dy politikanëve serbë rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit: Lexojeni: https://goo.gl/bfmG5M

Posted by Insajderi on Sunday, 21 January 2018

“E di që ata këtë vetë nuk kishin guxuar ta bëjnë, dhe kështu…, dhe tani po shikoj gjithë këtë dhe nuk di njeriu çfarë të mendojë. Ja tani erdh për ngushëllim Sllobodan Petroviqi, të cilin për herë të dytë po e shoh në veri, dhe të dy herë e shoh në ngushëllim. Para katër vitesh kur isha për ngushëllim për të ndjerin Miki aty e kam parë dhe tani po e shoh për herë të dytë…”, thotë asamblisti serb.

Po ashtu, gjatë bisedës telefonike që ka siguruar Insajderi, asamblisti serb i tregon bashkëbiseduesit në Beograd se kanë shkuar ta marrin kufomën pas kryerjes së obduksionit.

“Asgjë zyrtarisht nuk na kumtojnë, vetëm se është qëlluar nga pas, këtu para zyrës, një plumb ishte vdekjeprurës i cili e ka goditur arterien, dhe… kjo është gjendja”, thotë ai rreth ekspertizës mjekoligjore.

“E sheh, kemi biseduar, dhe gjithë këto t’i kam treguar. Të kujtohet biseda të cilën e kemi pasur para nja tre muajve”, ndërhyn Nikola Sanduloviq.

“Më kujtohet. Më vjen shumë mirë që thirre. Nuk e di… situata në qytet është e pabesueshme. Populli është shumë i habitur. Nuk e di… as policët nuk mund të besojnë e jo më diçka tjetër. Varrimi është në Beograd me siguri të enjten”, sqaron asamblisti serb. /Insajderi.com