Ish-zëdhënës i UÇK-së dhe ish-drejtor teatri – kush është kandidati i PDK-së në Prishtinë

Ish-zëdhënës i UÇK-së dhe ish-drejtor teatri – kush është kandidati i PDK-së në Prishtinë

Lirak Çelaj është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Prishtinë, ka konfirmuar sot nënkryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

Çelaj, i cili është kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë, kishte shprehhur më parë preferencën e tij për të kandiduar në Prishtinë.

Por, kush është Lirak Çelaj?

I lindur në Prishtinë më 26 mars 1973. Shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në Prishtinë. Diplomuar në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve në degën e Artit Dramatik drejtimi i Aktrimit më 1995.

Në tetor të vitit 1998, Çelaj i bashkëngjitet radhëve të UÇK-së në Zonën Operative të Llapit në sektorin për Informim Publik si dhe zëdhënës i kësaj zone.

Pas luftës drejtor i Drejtorisë së Arteve në Ministrinë e Kulturës së Qeverisë së Përkohshme. Më 1999 drejtor i Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Deputet në mandatin e parë të Parlamentit të Kosovës. Anëtar i Këshillit Drejtues së PDK-së, nënkryetar i Degës së Prishtinës, drejtues i Departamentit të Kulturës në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së.

Në aspektin profesional ka luajtur dhjeta role në teatër dhe në film si dhe ka bërë regji të filmit dhe ka shkruar skenarë për film dhe seriale televizive.

Çelaj po ashtu është bashkëthemelues dhe bashkëdrejtues i teatrit të parë privat në Kosovë, Teatrit ODA. /Insajderi.com