Ish-rektori i dorëhequr bëhet pjesë e PDK-së

Ish-rektori i dorëhequr bëhet pjesë e PDK-së

Ish-rektori i Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi, i cili pas 16 muajsh u detyruar të japë dorëheqje për shkak të protestave të studentëve, sot ka vendosur t’i bashkohet Partisë Demokratike të Kosovës.

Gashi ka qenë shefi i Kabinetit dhe këshilltari i parë politik i presidentit Behgjet Pacolli.

Kjo është bërë publikisht përmes një konference për media, ku kreu i PDK-së, Kadri Veseli i ka uruar mirëseardhje.

“Prej sot prof.dr. Ibrahim Gashi do të jetë anëtar i ri i PDK-së, do t’i bashkëngjitet grupit të madh të PDK-së, dhe të ecim bashkërisht në sfidat e Kosovës, të qytetarëve tanë në integrimet euro-atlantike”, ka thënë ndër tjera Veseli.

Kurse Ibrahim Gashi thotë se iu bashkua PDK-së për shkak se beson në lidershipin e partisë dhe të Veselit.

“Është nder për mua të bëhem pjesë e forcës politike numër një në Kosovë, në proceset e çlirimit, të shtetndërtimit dhe të konsolidimit të shtetit në planin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”, ka thënë Gashi.

“Besoj fuqishëm në lidershipin e PDK-së dhe të kryetarit Veseli. E ndiej veten pjesë të këtyre proceseve dhe do të mundohem ta jap kontributin tim në armatën e intelektualëve që tashmë janë pjesë e PDK-së”, ka shtuar ai./Insajderi.com