Ish-presidenti i SHBA-ve akuzohet se ngacmoi seksualisht një 16-vjeçare

14.11.2017 20:53
Ish-presidenti i SHBA-ve akuzohet se ngacmoi seksualisht një 16-vjeçare

Një grua ka akuzuar ish-presidentin amerikan George H.W. Bush se e kishte ngacmuar seksualisht kur ajo ishte vetëm 16-vjeçare. Rosyln Corrigan është gruaja e gjashtë që e akuzon Bushin për prekje ngacmuese.

Ajo ka thënë për “Time Magazine” se ishte takuar me Bushin në një organizim të CIA-s në Teksas në vitin 2003, aty ku punonte edhe babai i saj.

“Reagimi im i parë ishte i tmerrshëm. Isha shumë, shumë e hutuar. Isha fëmijë”, ka thënë ajo, transmeton Albinfo.ch.

Jim McGrath, përfaqësues i Bushit, ka thënë për BBC-në se presidenti i 41-të amerikan, që dikur drejtonte edhe CIA-n, “kërkon falje nëse ka ofenduar dikë ndonjëherë”.

Corrigan ka deklaruar se incidenti kishte ndodhur kur Bush po bënte fotografi me të dhe me mamanë e saj në zyrat e CIA-s në Teksas, në nëntor të 2003-s.

“Sapo ishim bërë gati për fotografinë dhe ai uli duart në prapanicën time dhe i shtypi ato, që vërehet edhe nga fytyra ime në këtë fotografi. Mendoja ‘O Zot, çfarë ndodhi?’”, ka thënë ajo. “Nuk i thash asgjë. Çfarë do t’i thoshte një adoleshente një ish-presidenti”.

Bush në atë kohë ishte 79 vjeçar.