Ish-ministri: Serbi 22-vjeçar ka punuar për BIA-n

Ish-ministri: Serbi 22-vjeçar ka punuar për BIA-n

Për vepra të ndryshme janë të dyshuar 4 personat e arrestuar të mërkurën pasdite në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy prej tyre janë të kërkuar nga Interpoli për vrasje por edhe për posedim e shpërndarje të narkotikëve dhe posedim të armëve.

“Operacioni policor është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë dhe gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar dy armë, sasi e narkotikëve, një veturë, dokumente që dyshohet se janë të falsifikuara, sasi e parave dhe gjëra të tjera”, thuhet në përgjigjen nga Zyra për media e Policisë së Kosovës.

Të arrestuarit janë, dy malazezë, një serb dhe një shqiptare.

Mediat malazeze kanë raportuar se personat kanë qenë në arrati tash e tri vjet, kurse malazezi Mario Millosheviq është i dyshuar për vrasjen e Radomir Gjuriçkoviqit nga Cetinja në 2016.

I arrestuari tjetër Gjorgje Paviçeviq nga Nikshiqi kishte ikur javë më parë nga një institucion mjekësor, derisa vuante dënimin me burgim për rrëmbim dhe zhvatje, të kryer në qytetin Kotor në 2015-n.

Këta dy malazezë të arrestuar por edhe viktimat e tyre, sipas mediave malazeze, janë pjesë e dy bandave, lufta mes të cilave kishte filluar në Valencia të Spanjës para katër vjetësh, pas zhdukjes së një ngarkese me kokainë.

Nga përplasja mes tyre ishin vrarë rreth 30 persona e katër viktima ishin të rastësishme.

Për serbin S.D., 22-vjeçar, ish-ministri i Jashtëm, Petrit Selimi, ka shkruar në Twitter se ka punuar për Agjencinë e Inteligjencës së Serbisë, BIA.

Por, Policia e Kosovës i ka thënë KTV-së se nuk mund të flasë për një gjë të tillë sepse nuk i komenton deklaratat e të tjerëve.

Monitorues të KMDLNj-së që kanë vizituar të ndaluarit kanë kërkuar hetim sepse malazezi M.M. iu ka thënë se Policia e ka rrahur.

Të arrestuarve u është caktuar ndalim prej 48 orësh.