Ish-komandanti i UÇK-së: Gjykata Speciale nuk do të merret vetëm me krimet e luftës

Ish-komandanti i UÇK-së: Gjykata Speciale nuk do të merret vetëm me krimet e luftës

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rrustem Mustafa i njohur si komandant “Remi” ka folur rreth Gjykatës Speciale.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka shkruar se pret nga Gjykata Speciale që t’i zgjeroj fushëveprimin e saj, mos të merret vetëm me krimet e luftës në Kosovë.

“Pres që Gjykata Speciale të zgjeroj fushëveprimin e saj dhe të ndiqen krimet ekonomike, të ndiqen ata që në mënyrë të orkestruar kanë keqpërdorur asetet kombëtare, si pronat, ndërmarrjet publike deri te defunksionalizimi i institucioneve vitale në vendin tonë”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa është shprehur se “të gjitha fjalët dhe propagandat sugjestive si dhe percepsionet e krijuara për UÇK-në do të rrëzohen dhe eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë”.

Ndër tjerash Mustafa ka thënë se është i bindur se gjatë kohës së luftës në Kosovë nuk ka krime të kryera që mund të përkufizohen si krime lufte, “fjalët dhe propaganda sugjestive si dhe percepcionet e krijuara për UÇK-në e di se do të rrëzohen dhe ne edhe individualisht, eprorët e UÇK-së do të dalin faqebardhë”, ka thënë Mustafa.

Ai thotë se “ka pasur një koordinim të qarqeve “akademike” e shoqërore për të defunksionalizuar gjithë ato institucione te krijuara me mund si gjykatat, universitetet dhe gjithçka qe i jepte fryme zhvillimit dhe rrugës se vendit për ecje se mbari”.

“Besoj në vlerat e lirisë dhe se tani më shumë se kurrë do të jenë të qarta të gjitha të ligat që e kanë rënduar vlerat e UÇK-së, e ku do të shihet se në mënyrë të orkestruar kanë sulmuar me të pavërteta dhe gjysmë të vërteta, jo vetem shteti mbi të cilin fituam, por edhe sistem shumë më i nderlikuar se vet shtetit armik”, ka përfunduar Mustafa. /Insajderi.com