Ish-komandanti i UÇK-së demanton Çekun: Pas luftës ishin vetëm 20 mijë ushtarë

Njëri prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llap, Arif Muçolli ka treguar se pasluftës ia kishte dërguar tri herë të dhënat e Zonave Operative për numrin e ushtarëve. Sipas tij, në asnjërin rast shifrat nuk kishin shkuar më shumë se 20 mijë ushtarë të UÇK-së.

Ish-komandanti i UÇK-së demanton Çekun: Pas luftës ishin vetëm 20 mijë ushtarë

Kryetari i Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së Agim Çeku, ka thënë para disa ditësh se nuk mendon që duhet bërë verifikimi i listave të veteranëve, edhe pse numri i tyre ka arritur në 28 mijë dhe se duhen edhe 15 milion euro të tjera nga buxheti i Kosovës për këtë kategori.

“Po ja përkujtoj z.Agim Cekut, se sa ishte Komandant i TMK-së,se paku dy deri në tri herë i kemi grumbullue te dhënat për këto kategori nga të gjitha Zonat dhe asnjëherë nuk është kalue nr.prej 20 mijë”, ka shkruar Muçolli i njohur si “Komandant Mësuesi”, shkruan Gazeta Express.

Ky ish-ushtarak ka treguar se këto të dhëna ekzistojnë ende në Arkivin e TMK-së, ku i kishte deponuar dokumentet e verifikuara me numrin e ushtarëve.

Arifi ka akuzuar Çekun se “krejt këto dallavere me lista janë bërë për përfitime politike, klanore, familjare por edhe materiale.”

Ai po ashtu tha se përpos Agim Çekut edhe të tjerët të përfshirë në këtë skandal kanë bërë devalvimin e vlerave të luftës.

Ndërkohë, ende askush s’ka shkuar në burg për keqpërdorimin e statusit të veteranit të UÇK-së. Për dallim prej Kosovës, në Kroaci ka pasur raste kur edhe pas njëzet vitesh janë zënë keqpërdoruesit e luftës, duke u dënuar me burgim dhe konfiskim të pasurisë. /Insajderi.com