Ish-hetuesja e quan “bitch” ish-prokuroren speciale të EULEX-it

Ish-hetuesja e quan “bitch” ish-prokuroren speciale të EULEX-it

Marina Toivonen, detektive në Zyrën Nacionale të Hetimeve në Finlandë dhe ish-hetuese e EULEX-it në njësitin kundër krimit të organizuar, e ka quajtur “bitch” ish-prokuroren speciale të këtij misioni në Kosovë, Isabelle Arnal.

Këto deklarata, Toivonen i ka bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ishte ftuar nga prokuroria që të dëshmoi në gjykimin e rastit MTPT, ku për afera korruptive akuzohen ish-ministri i Transportit dhe Post Telekomunikacionit dhe zëvendëskryeministri aktual Fatmir Limaj dhe të tjerët.

Gjatë dëshmisë së saj, Toivonen është pyetur nga i akuzuari Limaj, i cili ka kërkuar të dijë nga ajo nëse prokurorja speciale në atë kohë, Isabelle Arnal ka thënë se duhet zënë Limajn me prova apo pa prova për ta dërguar në burg, por Toivonen tha se kjo ka qenë një thashetheme e përgjithshme, të cilën tha se e ka dëgjuar nga një polic, por duke mos e ditur nga cili.

“Po m’shtini me fol keq për njerëz, sa i përket hetuesve është se nuk kemi pasur akses në zyrën e saj, sepse na ka konsideruar si të parëndësishëm për të, thjeshtë ka qenë një ‘bitch’”, ka deklaruar Toivonen.

Ndryshe, në dëshminë e saj, Toivonen ka treguar para trupit gjykues se në përudhën nëntor 2010 e deri në shkurt 2014, ka qenë e angazhuar në misionin e EULEX-it si hetuese në njësitin kundër krimit të organizuar. Ajo tha se fusha e saj kryesore është hetimi i çështjeve financiare.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Charles Hardaway, Taivonen tha se ka marrë pjesë në hetimin e rastit të njohur si MTPT.

Dëshmitarja tha se udhëheqjen e ekipit hetimor në këtë rast e ka marrë pasi udhëheqësja paraprake nga Sllovenia është larguar nga misioni.

Sipas saj, kur ajo ishte duke punuar në këtë hetim, janë ndërruar prokurorët e rastit, ndërsa theksoi se për dallim nga origjina e saj kur është vendosur për menaxhimin dhe vendimet e hetimit, në Kosovë prokurori ka qenë udhëheqës i ekipit hetues e jo ajo.

“Fillimisht nuk kam qenë udhëheqëse e hetimit të rastit MTPT, por ka qenë një kolege nga Sllovenia por më pas pasi ka shkuar kolegia kam qenë unë udhëheqëse. Sa kam qenë unë udhëheqëse është ndërruar prokurori dhe prokurori i ri e ka ndërruar qasjen për të cilën kishte të drejtë. Këtu prokurori ishte ai që udhëhiqte ekipin dhe jo unë çka ishte ndryshe nga vendi im ngase atje jam unë ajo që e arsyetoj një gjë që marr vendim. Në një far mënyre jam bërë zëdhënëse e ekipit të hetimit”, ka deklaruar ajo.

Dëshmitarja u pyet nga prokurori, nëse ajo ka marrë pjesë në bastisjen për rastin e MTPT-së, por ajo tha se nuk mund ta dijë, pasi ka marrë pjesë në 23-24 operacione të bastisjeve dhe arrestimeve në Kosovë.

Pasi prokurori e njoftoi me dokumentet e bastisjeve të vitit 2011, dëshmitarja theksoi se i kujtohej se në ndërtesën ku është kryer kjo bastisje, në podrumet e saj ka qenë një rrëmujë e madhe çka e ka bërë problematike procesin e bastisjes.

Nga ajo bastisje, tha se ka parë disa dokumente që ishin marrë nga dhoma e gjumit, dokumentet e telekomunikimt (mesazheve), një armë dhe shtoi se nuk i kujtohej diçka tjetër

Prokurori kërkoi nga dëshmitarja t’i lexoi dokumentet që janë bastisur në të cilat pasqyroheshin ofertat që firmat e ndryshme kanë bërë për të fituar tenderët.

I akuzuari Limaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Tahir Rrecaj, deklaruan se këtë e konsiderojnë si humbje kohe, ngase sipas tyre, mbrojtja nuk i konteston këto dokumente.

Ndryshe, një ditë më parë në gjykimin e rastit MTPT, ka elaboruar ekspertizën e tij, eksperti gjerman, Klaus Groth, me profesion jurist, por tashmë i pensionuar.

Ai kishte deklaruar se ka arsye për të dyshuar se ka pasur parregullsi me rastin e procedurave të tenderimit që janë bërë gjatë vitit 2008 nga Ministria e Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT).

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë. /BetimipërDrejtësi.