Ish-agjentja e CIA-s dëshiron ta blej Twitter për ta bllokuar Trumpin

24.08.2017 12:08
Ish-agjentja e CIA-s dëshiron ta blej Twitter për ta bllokuar Trumpin

Ish-agjentja sekrete e CIA-s, Valerie Plame Wilson, është duke mbledhur fonde për ta blerë rrjetin social Twitter, në mënyrë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mos mund ta përdorë atë më.

Wilson nisi fushatën për mbledhjen e fondeve javën e kaluar, duke shkruar në Twitter: “Nëse ekzekutivët e Twitter-it nuk e ndalojnë urrejtjen dhe dhunën e Trumpit, atëherë na takon neve ta bëjmë. Ta blejmë Twitter-in, ta bllokojmë Trumpin,” shkruan Express.

Ueb-faqja për mbledhjen e fondeve “GoFundMe” thotë se statuset e Trumpit në Twitter e dëmtojnë vendin dhe i vënë njerëzit në rrugën e dëmtimit.

Nga e mërkura në mëngjes, Wilson i ka mbledhur më pak se 6.000 dollarë, ndërsa synimi i saj është t’i mbledhë 1 miliard dollarë.

Nëse ajo e arrin synimin dhe i mbledh 1 miliard dollarë, prapëseprapë nuk do t’i mjaftonin për të fituar kontroll në këtë kompani. Për ta blerë shumicën e aksioneve, asaj do t’iu duhen 6 miliardë dollarë. Por, aksionet në vlerë 1 miliard dollarë do t’i jepnin asaj një pozitë të fortë për të ushtruar ndikim në kompaninë e Twitter-it.