Ish-agjenti i CIA-s rrezikon me burg, shkaku i tij u vranë 20 informatorë

Ish-agjenti i CIA-s rrezikon me burg, shkaku i tij u vranë 20 informatorë

Një ish-oficer i CIA-s është arrestuar në SHBA, me akuza për mbajtjen e paligjshme të informacionit të klasifikuar, raporton BBC, përcjell Insajderi.

Jerry Chun Shing Lee, një amerikan i natyralizuar, u mbajt të hënën në aeroportin JFK të Nju Jorkut, njoftoi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve.

Ai punoi për CIA-n midis viteve 1994 dhe 2007, kur u nis për në Hong Kong.

Rasti mendohet të jetë i lidhur me një hetim të FBI-së që filloi në vitin 2012, lidhur me dëmtimin e një operacioni spiunazhi të CIA-s në Kinë.

Në dy vitet paraprake, rreth 20 informatorë u vranë ose u burgosën – një nga dështimet më katastrofale të inteligjencës amerikane në vitet e fundit.

Por zyrtarët nuk e dinin nëse bëhej fjalë për rrjedhje apo hakim të të dhënave.

Kur Lee u largua nga CIA në vitin 2007, ata që e njihnin thanë se ai e la agjencinë i pakënaqur me karrierën e tij të pasukseshme”, raporton New York Times.

Lee mbeti në Hong Kong dhe u kthye në Amerikë në vitin 2012, i joshur nga një ofertë e rreme e punës.

Në atë kohë, Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se agjentët e FBI-së kishin kontrolluar dhomën e hotelit në Havai dhe Virxhinia ku kishin gjetur dy libra të vegjël me të dhëna sekrete.

Ato përmbanin shënime të detajuara të shkruara me dorë si emrat e vërtetë dhe numrat e telefonit të punonjësve të fshehtë të CIA-s.

Megjithatë, Lee u largua nga SHBA-të në vitin 2013 dhe tani është arrestuar vetëm gjatë një vizite tjetër.

Deklarata thotë se Lee, 53 vjeç, është akuzuar “për mbajtjen e paligjshme të informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe përballet me një dënim maksimal prej 10 vjet burg, nëse dënohet”.

Lee, i njohur gjithashtu si Zhen Cheng Li, filloi karrierën e tij në CIA-s si një oficer i rastit, pastaj mbajti dokumente top sekret dhe nënshkroi marrëveshje të moszbulimit.

Ai nuk ka bërë asnjë koment publik për këtë çështje.