Isa Mustafa bën fajtor këdo për humbjen e tij në Prishtinë

Isa Mustafa bën fajtor këdo për humbjen e tij në Prishtinë

Katër vjet më pas Isa Mustafa vazhdon ta vajtojë humbjen në Prishtinë.

Duke mos qenë në asnjë lloj gare, kryeministri i larguar me mocion mosbesimi këtë javë ka sulmuar sërish mediat, dhe posaçërisht KTV-në.

Referenca për një raport në prag të balotazhit 2013 që e paraqiste djalin e tij, të gatshëm për një sërë favoresh ndaj një aktivisti të ri të Vetëvendosjes nëse ai do të kalonte në LDK.

Premtimet për favore nga ana e djalit të Mustafës u kapën me zë dhe figurë.

Mustafa shkroi se hetimet e policisë e prokurorisë treguan se nuk kishte asgjë të vërtetë.

Ngjashëm mund të kenë përfunduar edhe hetimet në Angli për trajnerin e Kombëtares, Sam Allardayce. Gazeta prestigjioze Daily Telegraph i dërgoi Allardayceit disa biznismenë të rrejshëm për të negociuar me të thyerjen e rregullave të trasnfereve në Premier League.

Gatishmëria e tij për t’u angazhuar në bisnezin e jashtëligjshëm duke përfituar nga pozita e fuqishme që mbante, çuan në shkarkimin e menjëhershëm nga Federata e Futbollit të Anglisë, FA.

Mustafa e akuzoi KTV-në se organizoi skandal kur Musa Daka, e akuzoi në Interaktiv se kishte shtëpi në Stuttgart, siç e bëri edhe në media tjera.

Rezultoi që kryetari i LDK-së, nuk kishte shtëpi në Stuttgart, por atij nuk i janë ndarë asnjëherë akuzat për keqpërdorimin e fondit të 3 %.

Duke marrë shkas nga këto raste, Mustafa i porositi kandidatët e partisë së tij që të kenë kujdes para balotazhit.

Por, kandidati për Prishtinën i LDK-së, Arban Abrashi e pranoi se është aksionari kryesor në një kompani, që importon Vodka nga Holanda në Kosovë, dhe se kishte mospajtim me Doganën për vlerën e kësaj dhe pijeve tjera.

Vetë Mustafa dyshohet se e kërcënoi gazetarin Vehbi Kajtazi kur ai raportoi se i vëllai i kryeministrit kërkoi azil në Gjermani, bashkë me mijëra kosovarë të tjerë të dëshpëruar.

Gjatë kohës sa ishte kryeministër, kryesisht në Facebook, Mustafa akuzoi e linçoi këdo që kritikonte vendimet e tij.