Iraku nis operacionin kundër IS-it në shkretëtirën pranë Sirisë

Iraku nis operacionin kundër IS-it në shkretëtirën pranë Sirisë

Ushtria e Irakut tha se ka nisur një operacion të madh për të pastruar shkretëtirën perëndimore, pranë kufirit me Sirinë, nga militantët e grupit Shteti Islamik (IS).

Ushtria tha se operacioni po kryhet nga forcat e saj, policia federale dhe Forca Popullore e Mobilizimit, e cila mbështetet nga Irani.

“Qëllim i operacionit është të parandalojë pjesëtarët e mbetur të Daesh-it (Shtetit Islamik) të shkrihen në rajonin e shkretëtirës dhe ta përdorin atë si bazë për sulme të ardhshme”, tha koloneli i ushtrisë irakiane, Salah Kareem.

Ministria e Mbrojtjes e Irakut ka thënë javën e kaluar se forcat irakiane, të mbështetura nga koalicioni që udhëheq SHBA-ja, kanë çliruar qytetin kufitar Rava, i cili ka qenë rajoni i fundit nën kontrollin e Shtetit Islamik.

Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, ka thënë më 21 nëntor se Shteti Islamik është mposhtur ushtarakisht, porse fitorja përfundimtare do të shpallet pas “çrrënjosjes” së luftëtarëve të grupit nga shkretëtira.