Irak: 88 miliardë dollarë për rindërtimin

Insajderi

Insajderi Carsten Kühntopp

13.02.2018 08:43
Irak: 88 miliardë dollarë për rindërtimin

Milicia terroriste “Shteti Islamik” kontrollonte në Irak në kulmin e tij rreth një të tretën e territorit të shtetit. IS u shpall në dhjetor i mundur, por në Mosul dhe në vende të tjera çmimi ishte shkatërrimi i plotë.

Një gjysmë viti ka kaluar që kur Mosuli, kryeqyteti i provincës Ninive u çlirua nga duart e Shtetit Islamik (IS). Për muaj të tëra lufta nuk pushoi, luftohej në çdo rrugë. Numri i të vrarëve ndërkohë llogaritet në 10.000 vetë. Pjesa historike e qytetit, në Bregun Perëndimor të Tigrit, ndodhet në gërmadha. Megjithatë: nga dikur 200.000 vetët, ndërkohë këtu jetojnë tani rreth pesë mijë vetë. Kudo ende ka kurthe me lëndë shpërthyese, ende në lagje ndihet kutërbimi tipik i kufomave. Me eskavatorë dhe me duar, nëpunësit e qytetit kërkojnë kufoma, çdo ditë nxirren kufoma të tjera. Drejtuesi i ekipit, Duraid Mohammed:

“Administrata e qytetit ka ngritur një komitet, që duhet të nxjerrë kufomat e militantëve të IS, të cilat ndodhen kudo në qytet – në mënyrë që të pengojmë sëmundjet dhe epidemitë dhe të shpëtojmë nga kutërbimi – dhe në mënyrë që të ndihmojmë familjet që të kthehen – që jeta të bëhet si më parë.”

Por mungon uji i pishëm dhe energjia elektrike. Në të gjithë provincën Ninive nuk punon as një ndër dhjetë klinika mjekësh. Një mjek asistent thotë se “Në Lindje të qytetit gjendja nuk është kaq e keqe. Por në Perëndim janë shkatërruar të gjitha klinikat. Na duhen medikamente, gjithçka. Kur i pyesim punonjësit se pse nuk vijnë në punë, na thonë se nuk mund të punojnë pa rrogë – nuk mund të paguajnë as përpareset e mjekut”.

Rindërtimi i vendit kushton më shumë se buxheti i Irakut

Nga 19 provinca nën sundimin e IS, shtatë u dëmtuan rëndë. Sot Kalifati islamik është shkatërruar, por në shumë vende me çmimin e shkatërrimit të plotë të zonës. Sipas një raporti të Bankës Botërore, të hartuar së fundi me porosi të qeverisë irakiane, rindërtimi i vendit kushton në plan afatshkurtër dhe afatmesëm 88 miliardë dollarë – kjo shumë është më e madhe se i gjithë buxheti i shtetit për këtë vit. Prandaj edhe Iraku i pasur me naftë duhet të kërkojë tani ndihmë. Dhannoon Qader, një fshirës rrugësh nga Mosuli Perëndimor ka pak shpresë se paratë e donatorëve ndërkombëtarë do të mbërrijnë aty ku duhet të mbërrijnë.

“Nuk duam që ata të marrin nga çdo projekt një pjesë të parave. Por më e rëndësishmja është që të rihapen shkollat. Aktualisht në shkollë nuk shkon asnjë fëmijë – sepse të vetmet shkolla të hapura janë në pjesën tjetër të qytetit”.

Shumë irakianë e konsiderojnë të korruptuar qeverinë. Prandaj rrjetet ndërkombëtare të vendeve donatore janë shumë të vëmendshme që paratë të mos zhduken në kanale të errëta. 3,2 milionë irakianë kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa 2,6 milionë të tjerë vazhdojnë të jenë në arrati. Por për të dyja grupet, gjendja e furnizimit është në pjesën më të madhe problematike.