150 punëtore të fabrikës së tekstilit “Vitex” në Viti, për katër muaj që punojnë, janë paguar vetëm për një muaj. Kjo i ka shtyrë ato të hyjnë në grevë. Nuk kanë dashur të flasin para kamerës nga frika se mund të largohen nga puna por janë ankuar se ka tre muaj që nuk i kanë marrë pagat e tyre shkruan KTV.
Njëri ndër aksionarët, i cili është nga Gjermania, i nervozuar me praninë e ekipit të KTV-së, nuk ka pranuar të flasë asgjë lidhur me këtë çështje, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të ekipit nga fabrika.
Kryetari i komunës Sokol Haliti thotë se nuk e ka ditur se në fabrikë ka probleme të tilla dhe se do të interesohet për këta punëtorë.
Pavarësisht se është biznes privat, opozita në këtë komunë kritikon kryetarin e komunës që, sipas tyre, bëri fushatë me këto punësime.